Showbiz

Maskat mund të mos i shohim në ekran gjatë ceremonisë “Oscar”

Descriptive Text

Organizatorët e ceremonisë së përvitshme “Oscar” nuk do ta bëjnë të detyrueshme vënien e maskave, gjatë mbarëvajtjes së një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kinematografisë në botë.

Për revistën “Variety”, organizatorët e kanë konfirmuar lajmin se të nominuarit, mysafirët e ftuar dhe prezantuesit e këtij edicioni, nuk do të detyrohen ta mbulojnë gojën dhe hundën gjatë kohës sa janë duke u xhiruar.

Sidoqoftë, kur njerëzit nuk do të jenë para kamerave, ata janë udhëzuar t’i vënë maskat në mënyrë që ta zvogëlojnë rrezikun për t’u infektuar.

Kjo do të thotë se gjatë kohës së reklamave, të pranishmëve do t’u duhet ta mbulojnë gojën dhe hundën me maskë adekuate.

Ambicia prapa kësaj mënyre të organizimit është që të sigurohen që ceremoninë “Oscar”, e shquar për glamurin dhe elegancën që e sjell çdo edicion, të vazhdon të jetë një spektakël atraktiv televiziv.

Një numër masash shtesë janë vendosur gjithashtu nga organizatorët për të ndihmuar në mbrojtjen e të pranishmëve, teksa një e treta e buxhetit të përgjithshëm të organizimit të kësaj ngjarjeje besohet që u është dedikuar masave anti-COVID.

Kapaciteti i publikut të pranishëm në sallë do të jetë i limituar në 170 persona, derisa do të bëhen edhe rotacione në mesin e publikut. Mysafirëve të ftuar u është kërkuar që t’i nënshtrohen të paktën tri testimeve për COVID-19, pak ditë para mbajtjes së ceremonisë teksa ata do të detyrohen ta kontrollojnë temperaturën e trupit para se të hyjnë në objekt.

Qilimi i kuq tashmë është shtruar në të gjithë fituesit do të bëhen pjesë e një konference virtuale për media, e cila mbahet pas ndarjes së shpërblimeve akademike.

Steven Soderbergh, bashkë-producent i ceremonisë së sivjetme, së fundmi e konfirmoi lajmin se maskat do ta luajnë në rol shumë të rëndësishëm në temën e kësaj mbrëmjeje.

Regjisori 58-vjeçar i zbuloi disa prej masave të sigurisë që janë ndërmarrë para ceremonisë, por refuzoi të jap detaje specifike. I pyetur për masat paraprake në lidhje me koronavirusin, Soderbergh tha: “sigurish, kjo temë është pjesë e pandashme e këtij edicioni të ceremonisë”.

Të përkushtuar tërësisht për ta organizuar një ceremoni që duket si projekt kinematografik, Akademia e Arteve dhe Shkencave e ka prezantuar ekipin e përbërë nga yje të listës A të hollywoodit, të cilët sivjet shërbejnë si prezantues të kësaj ngjarjeje, në mesin e së cilëve janë yjet: Angela Bassett, Halle Berry, Bong Joon Ho, Don Cheadle, Bryan Cranston, Laura Dern, Harrison Ford, Regina King, Marlee Matlin, Rita Moreno, Joaquin Phoenix, Brad Pitt, Reese Witherspoon, Renée Zellëeger dhe Zendaya.

Ceremonia do të zërë vend në dy lokacione, në stacionin hekurudhor “Union Station” dhe në teatrin “Dolby” në Los Angeles, si dhe një lokacion tjetër do të caktohet në Londër për t’i akomoduar të nominuarit nga të gjitha anët e botës.

Edicioni i 93-të i ceremonisë “Oscar” do të mbahet më 25 prill, dhe do të transmetohet live në kanalin “ABC” dhe në më shumë se 225 shtete të botës.

Përktheu E.B