Showbiz

Dolly Parton vaksinohet kundër koronavirusit

Foto: AP/Associated Press

Ylli i hitit “9 To 5” dhe “Jolene”, Dolly Parton, e cila i kishte dhuruar 1 milion dollarë për zhvillimin e vaksinës anti-COVID, e ka pranuar dozën e parë të saj dhe e shënoi këtë rast duke u bërë thirrje edhe të tjerëve, që t’i nënshtrohen vaksinimit.

Duke e dokumentuar tërë procesin përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, këngëtarja e njohur e muzikës country e shoqëroi postimin e saj me mbishkrimin: “Dolly pranon dozën e ilaçit të saj”.

Muajin e kaluar këngëtarja dhe aktorja 75-vjeçare deklaroi se do të pres t’i vijë rendi për ta marrë vaksinën kundër koronavirusit, pasi nuk dëshiron që njerëzit të mendojnë se po trajtohet në mënyrë të veçantë, vetëm ngase është e famshme dhe i ka dhuruar 1 milion dollarë për krijimin e kësaj vaksine.

Në një intervistë të fundit, e pyetur nëse e kishte pranuar tashmë vaksinën, Parton deklaroi: “Jo. Unë nuk do ta marr vaksinën pa iu nënshtruar këtij procesi një numër i madh i njerëzve. Nuk dua të mendojë publiku se po e kaloj rendin e njerëzve që presin për t’u vaksinuar, vetëm ngaqë kam dhuruar të holla për zhvillimin e saj. Por, kur të më vijë rendi, unë sigurisht që do ta marr vaksinën time. Ligjërisht unë i takoj moshës që ka përparësi për t’u vaksinuar, dhe normalisht do ta merrja dozën e parë të vaksinës javën e kaluar. E kisha menduar ta merrja atë për ditëlindjen e 75-të por pastaj vendosa të mos veproja kështu sepse nuk dua që njerëzit të mendojnë se po bëjë shou dhe po promovohem. Nuk e kam zakon të bëjë gjëra të tilla”.

Tutje , Dolly Parton tha se është e lumtur që ka pasur rastin të jetë pjesë e krijimit të vaksinës, e cila do të shpëtojë miliona jetë anembanë botës.