Showbiz

Princi Harry dhe Meghan Markle do të bëhen prindër për herë të dytë

Foto: AP/Associated Press

Çifti i njohur mbretëror i cili rrëmben vëmendje të madhe të publikut anembanë botës, Princi Harry dhe Meghan Markle, kanë vendosur që në ditën e të dashuruarve ta bëjnë publik lajmin se janë në pritje të fëmijës së dytë.

Duka dhe Dukesha e Sussexit që e kanë një djalë së bashku, Archie, kanë zgjedhur që përmes postimit të një fotografie ku ata shihen duke u relaksuar në natyrë, me ç’rast Markle shfaqet me kokën e shtrirë në prehër të princit të saj teksa e ledhaton barkun e rrumbullakosur, ta konfirmojnë lumturinë që i ka kapluar me rastin e shtatzënisë. Kështu ata do të bëhen prindër për herë të dytë.

Image

Familja mbretërore britanike sa shkon e rritet, dhe lajmi për foshnjën e radhës vjen pasi Princesha Eugenie e solli në jetë djalin e saj, vetëm një javë më herët.

Nuk dihen shumë detaje rreth kësaj shtatzënie të çiftit, Harry dhe Meghan, përfshirë këtu gjininë e foshnjës apo datën e lindjes. Mirëpo ajo që dihet është se fëmija do të jetë i teti në radhë për ta trashëguar fronin mbretëror.

Bëhet e ditur se Mbretëresha Elizabeth dhe anëtarët e tjerë të familjes mbretërore, janë informuar për lajmin pak para se ai të bëhej publik, dhe Pallati Buckingham përmes një komunikate për media ka deklaruar që familja është e lumtur për Dukën dhe Dukeshën e Sussexit.

Princi Harry dhe ish-aktorja amerikane, Meghan Markle, e shokuan botën vitin e kaluar me të hequr dorë nga obligimet zyrtare të familjes mbretërore, dhe zhvendosjen për të jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo pasi Markle ishte sulmuar ashpër nga mediat në Britani të Madhe, deri në atë pikë sa Princi Harry u detyrua të deklarojë publikisht se nuk dëshiron që historia e nënës së tij të ndjerë, të përsëritet me gruan dhe nënën e djalit të tij.

Çifti madje ka ngritur padi ligjore ndaj disa mediave britanike dhe së fundmi 39-vjeçarja, Meghan Markle, doli triumfuese në rastin kundër “The Mail on Sunday” për shkelje të privatësisë.

Zyrtarisht kjo është shtatzënia e tretë për Dukeshën e Sussexit, e cila para pak muajsh e bëri të ditur lajmin se në korrik të vitit 2020, e kishte humbur një fëmijë si pasojë e abortit spontan. Këtë gjë e zbuloi përmes një artikulli të publikuar në gazetën “New York Times”.

“Unë e dija, teksa e shtrëngoja në përqafim djalin tim të parë, se po e humbja fëmijën e dytë. Humbja e një fëmijë do të thotë se duhet të jetosh me një pikëllim të padurueshëm për gjithë jetën, dhe fatkeqësisht është një gjë që shumë njerëz e përjetojnë dhe pak flasin për të. Nga dhimbja e humbjes sonë, burri im dhe unë zbuluam se në një grup prej 100 grash, 10 apo 20 prej tyre do ta përjetojnë abortin një herë në jetë. Megjithatë, përkundër faktit se kjo është një dhimbje e përbashkët për shumë gra, aborti mbetet një temë tabu e shoqëruar me turp të pajustifikuar dhe dhimbje shpirtërore e cila të shoqëron gjithë jetën”, kishte shkruar Markle.

Ndërkohë, në janar të këtij viti u bë e ditur se Princi Harry dhe Meghan Markle, do të ribashkohen me familjen mbretërore gjatë kësaj vere. Besohet se ata do të rikthehen në Britani të Madhe në muajin qershor, për ta ndjekur ceremoninë zyrtare mbretërore “Trooping of the Colour”, që tradicionalisht mbahet më 12 qershor, për ta nderuar ditëlindjen e Mbretëreshës Elizabeta e Dytë.

Kjo nënkupton se ka gjasa që foshnja e çiftit të famshëm të vijë në jetë rreth asaj kohe, dhe kështu Markle planifikon që edhe fëmijën e dytë ta lindë në vendlindjen e Princit Harry dhe djalit Archie Harrison Mountbatten-Windsor.

Në një intervistë të realizuar në muaji gusht, Harry kishte thënë se çifti kishte planifikuar ta vizitojë Britaninë e Madhe më shpesh, por është kufizuar shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Meghan dhe Harry, një prej çifteve më të pëlqyera dhe të ndjekur nga publiku, hoqën dorë nga obligimet zyrtare të familjes mbretërore në fillim të vitit, dhe u shpërngulën për të jetuar në Santa Barbara të Kalifornisë. Ata po tentojnë ta krijojnë një rol të ri në jetën e tyre publike, larg rregullave strikte të rrethit mbretëror në Britani të Madhe.