Showbiz

Dr. Dre thotë se është mirë me shëndet, pas aneurizmit në tru

Ylli i njohur amerikan, Dr. Dre, i ka shfrytëzuar rrjetet sociale të martën mbrëma, për t’i siguruar gjithë fansat se është më mirë me shëndet. Kjo pasi ikona e muzikës rep dhe hip-hop, u hospitalizua si pasojë e aneurizmit në tru.

Producenti i njohur dhe tejet i suksesshëm përmes një postimi në Instagram, i falënderoi miqtë dhe adhuruesit e tij për interesimin dhe urimet për shërim të shpejtë.

“Faleminderit familjes sime, miqve dhe adhuruesve për interesimin dhe urimet e mira. Jam shumë mirë dhe nën kujdesin e shkëlqyer të mjekëve të mi. Do të largohem nga spitali dhe do të rikthehem në shtëpi shumë shpejtë. Një falënderim të veçantë profesionistëve të mrekullueshëm shëndetësor në spitalin ‘Cedars Sinai’. Një dashuri për të gjithë!”.

Uebfaqja për të famshëm “TMZ” e bëri të ditur lajmin në martën më 5 janar, duke cituar burime të afërta të reperit. Sipas tyre ai megjithatë vazhdon të jetë në gjendje stabile. Edhe një gazetarë i të përditshmes “Los Angeles Times”, ka raportuar se 55-vjeçari Dre, ishte hospitalizuar në kujdesin intensiv.

Mjekët ende nuk e kanë mësuar shkaktarin e gjakderdhjes në tru, dhe po vazhdojnë t’i bëjnë teste reperit të shndërruar në afarist.

Menjëherë pas publikimit të lajmit, artistë dhe kolegë të shumtë i pushtuan rrjetet sociale, për t’i uruar Dres shërim të shpejtë në mesin e së cilëve edhe: Ice Cube, Kaytranada, DJ Paul, Ciara, LL Cool J dhe të tjerë.

Dr. Dre është në proces e sipër të shkurorëzimit nga Nicole Young, me të cilën ka qenë i martuar për 24 vjet. Besohet se dyshja planifikohej ta ndjekë një seancë gjyqësore, të mërkurën në Los Angeles.

Ndërkaq muajin e kaluar u bë i ditur lajmi se incizimi i albumit të ri të reperit, tashmë ka përfunduar. Ky do të jetë incizimi i tij i parë i lansuar pas albumit të vitit 2015, “Compton”.

Pak kohë më parë, reperi nga Detroiti, Page Kennedy, kishte bërë të ditur se miku dhe bashkëpunëtori i kamotshëm i Dres, Eminem, do të jetë gjithashtu pjesë e albumit të ri. Dr. Dre ende nuk e ka konfirmuar datën e lansimit të këtij projekti muzikor.