Showbiz

“The Little Things” bashkon tre aktorë të shpërblyer me “Oscar”

Aktorët e njohur, Denzel Washington dhe Rami Malek, do t’i portretizojnë zyrtarët ligjorë nga Los Angelesi që vihen në kërkim të një vrasësi serik, në filmin më të ri “The Little Things”.

Trileri psikologjik është realizuar me skenar dhe regji të John Lee Hancockut. Ndërsa rolin e vrasësit të përndjekur nga policia e luan këngëtari dhe aktori, Jared Leto.

Në trilerin e filmit të publikuar një ditë më parë, sherifi Joe “Deke” Deacon, i cili në film portretizohet nga Denzel Washington, rekrutohet jozyrtarisht nga rreshteri Jim Baxter, rolin e të cilit e luan Rami Malek. Së bashku ata vihen në kërkim të vrasësit të rrezikshëm, por kjo përndjekje nuk kalon pa pengesa.

Përveç tre yjeve të shpërblyer me “Oscar”, në film luajnë edhe aktorët Natalie Morales, Terry Kinney, Chris Bauer, Joris Jarsky, Isabel Arraiza dhe Michael Hyatt.

“The Little Things” do të lansohet nëpër kinema dhe në platformën digjitale HBO Max, më 29 janar të vitit 2021.