Showbiz

Rita Ora rikthehet në jurinë e “The Masked Singer”

Shou muzikor “The Masked Singer” ka paralajmëruar fillimin e sezonit të ri, në të cilin si anëtare e jurisë do të përfshihet edhe këngëtarja shqiptare, Rita Ora.

Spektakli “The Masked Singer” ka të përfshirë në garë artistët tanimë të famshëm, por që performojnë të maskuar, duke e fshehur kësisoj identitetin e tyre.

Kjo nuk është hera e parë që Rita merr pjesë në panelin e jurisë së spektaklit pasi pjesëmarrja e saj është vlerësuar e suksesshme gjatë sezonit të kaluar, Ora ka vendosur që të kthehet edhe njëherë në këtë emision argëtues, me spektakle muzikore e humor.

Përveç Orës, në panelin e jurisë do të jenë edhe Davina McCall dhe Jonathan Ross.

Sezoni i ri i “The Masked Singer” do të fillojë në fundjavën e Krishtlindjeve, më 26 dhjetor dhe qysh tani interesimi është tejet i lartë, si për jurinë ashtu edhe për pjesëmarrësit.

Gjatë vitit të ardhshëm, këngëtarja 30-vjeçare me prejardhje nga Kosova pritet që të udhëtojë edhe drejt Australisë, për t’u angazhuar në cilësinë e mentores në shoun e famshëm muzikor “The Voice”. Aty, ylli i popit do t’i shoqërojë në panel anëtarët e tjerë të jurisë, Keith Urban, Jessica Mauboy dhe Guy Sebastian.

“E adhuroj shoun ‘The Voice’ dhe e dua shumë Australinë, prandaj them se ky është një kombinim i krijuar në parajsë për mua”, kishte thënë Ora rreth angazhimit.

Ora ka qenë më herët mentore edhe e spektaklit të “The Voice” në Britaninë e Madhe.

Kjo përvojë, ka thënë këngëtarja, i ka shërbyer si përgatitje për angazhimin në Australi.

“E di shumë mirë sa e rëndësishme është t’i ndihmosh këngëtarët e rinj që t’i realizojnë ëndrrat e tyre, si dhe mezi pres që ta zbuloj superyllin e ardhshëm të Australisë”, ka bërë të ditur Ora.