Showbiz

Rita Ora nesër feston ditëlindjen e 30-të

Të enjten më 26 nëntor, Rita Ora, e shënon ditëlindjen e 30-të.

E lindur në Kosovë në vitin 1990, Ora u bë e famshme me lansimin e këngës “Hot Right Now” në vitin 2012, e cila menjëherë arriti të pozicionohet në vendin e parë të toplistave muzikore në Britani të Madhe. Në fund të vitit, këngëtarja e lansoi edhe albumin e saj debutues të titulluar “Ora”, dhe tri këngë të tjera të cilat po ashtu shënuan suksese nëpër toplistat muzikore, transmeton Koha.

Në vitin 2013, bukuroshja nga Prishtina por e rritur në Londër, performoi në festivalin e njohur “Glastonbury” dhe një vit më vonë, i lansoi pesë këngë hite. Bashkëpunimi i saj me rep artisten australiane Iggy Azalea, “Black Widow”, arriti të pozicionohet në vendin e tretë të toplistës “Billboard” të 100 këngëve më të mira në Amerikë. Njëherësh kjo mbetet kënga me e pëlqyer e Ritës në YouTube, me 593 milionë klikime.

Nga atëherë, ajo i ka lansuar disa këngë të pëlqyera nga publiku mbarëbotëror si dhe albumin e saj të dytë të incizuar në studio, “Phoenix”.

Fillimisht Ora kishte nënshkruar kontratë bashkëpunimi më kompaninë incizuese “Roc Nation”, por më vonë pas një beteje ligjore me studion incizuese të themeluar nga Jay-Z, ajo e shkëputi këtë kontratë dhe u bë pjesë e “Atlantic Records”. Në shtator të vitit 2019, Rita për revistën “Marie Claire” e konfirmoi lajmin se ka filluar të punojë rreth albumit të saj të tretë.

Përveç muzikës, Ora ka gëzuar suksese të mira edhe në fushën e televizionit dhe filmit. Ajo e ka portretizuar motrën e Christian Greyt në filmat “Fifty Shades of Grey” dhe në vitin 2021 do të lansohet projekti “Tëist” i bazuar në romanin klasik të Charles Dickensit, ku ajo e luan rolin e hajdutes Artful Dodger.

Në vitin 2012, Rita Ora shërbeu si anëtare e jurisë në garën muzikore britanike “The X Factor”. Më 2015 ajo po ashtu ishte trajnere në emisionin për talent “The Voice UK”.

Së fundmi, këngëtarja e famshme Ora ishte pjesë e panelit të jurisë së shout televiziv shumë të pëlqyer, “The Masked Singer”, i cili u transmetua në janar të vitit 2020.

Rita Ora gjithashtu shquhet si filantrope aktive në çështje të ndryshme, dhe në vitin 2019 ajo u angazhua si ambasadore e vullnetit të mirë për “UNICEF UK”.