Showbiz

“Wonder Woman 1984” vjen nëpër kinema dhe platformën HBO Max, më 25 dhjetor

Filmi me superheronj, “Wonder Woman 1984”, do të debutojë në kinematë e Amerikës dhe në platformën digjitale HBO Max, më 25 dhjetor në ditën e Krishtlindjeve, një plan i pazakontë i lansimit i nxitur nga pandemia e koronavirusit.

Studioja filmike “Warner Bros.” përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se filmi i shumëpritur i regjisore Patty Jenkins, do të fillojë së shfaquri nëpër kinematë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke filluar nga 16 dhjetori, transmeton Koha.

Projekti i mbushur me skena aksion i cili në rolin protagonist e sjell aktoren, Gal Gadot, fillimisht ishte planifikuar të publikohej nëpër kinema më qershor të këtij viti. Por studiot hollywoodiane i kishin shtyrë premierat e shumicës së filmave me buxhet të lartë, deri në vitin 2021, kjo pasi pandemia ka bërë që shumë kinema të qëndrojnë të mbyllura.

“Wonder Woman 1984” është filmi i fundit me superheronj i planifikuar për t’u lansuar gjatë vitit 2020. Dhe ekspertëve të filmit, kjo strategji po u duket e pazakontë dhe e çuditshme.

Patty Jenkins së fundmi ka lënë të nënkuptohet se do të ketë edhe vazhdim të tretë të filmit, “Wonder Woman”, por ky me siguri do të jetë i fundit për të. Regjisorja e famshme dëshiron ta jap maksimumin në filmin “Wonder Woman 1984”, pasi beson se do të jetë hera e fundit që ajo do të ketë mundësi ta sjellë historinë e superheroinës së famshme.