Showbiz

AC/DC në luftë me konformizmin

Kur AC/DC para katër vjetësh përgatiti 88 koncertet “Rock Or Bust” në Philadelphia, e ardhmja e bendit dukej goxha e turbullt

Këngëtari Brian Johnson ishte zëvendësuar nga Axl Rose për 23 koncertet e fundit, pasi mjekët i thanë të mos këndonte ose ishte në rrezik për ta humbur dëgjimin. Kitaristi Malcolm Young kishte dalë në pension dhe ishte në fazat e fundit të betejës me sëmundjen e dementisë. Basisti Phil Rudd e kishte kaluar pjesën dërrmuese të vitit të kaluar në arrest shtëpiak në Zelandën e Re pasi ishte dënuar për tentim vrasje.

Kështu që kur luajti kordën e fundit të “For Those About To Rock (We Salute You)” në sallën “Wells Fargo”, një nga krijuesit Angus Young supozoi se AC/DC kishin marrë fund si një rok-bend që bën koncerte dhe këndon.

Në shtëpinë e tij në Sarasota, Florida, Johnson ka treguar se është ndier shumë i vetmuar dhe vetëm shishet me uiski e kanë shoqëruar. Por gjatë katër vjetëve, Young arriti që gradualisht ta bashkonte bendin. Madje edhe Johnson u bë e mundur që të kthehet, falë punës së madhe për t’ia përmirësuar dëgjimin.

Rezultat i bashkimit ishte albumi i 17, “Power Up” – një rok me plot shtënie armësh dhe që i prek të gjithë në shpirt, që as nuk devijon e as nuk e zbeh formulën e testuar me vjet të bendit.

“Kështu kemi luajtur gjithmonë dhe s’e ndërrojmë këtë. Ndoshta jemi pak kokëfortë, por është sikur p.sh. kur dua ta dëgjoj “The Stones”, nuk dua që ata të luajnë muzikë xhaz. Kemi qëndruar aty ku e bëjmë më së miri. Kjo është forca jonë e jo dobësia”.

Albumi i kushtohet Malcolm Young, që ka vdekur nga ndikimi i dementisë më 2017 dhe kitaristi është bashkautor i të gjitha këngëve.

“Tufë e fortë”

Në fakt, ata kishin shkruar aq shumë saqë në fund nuk kishin mundur të zgjidhnin se cilat t’i publikojnë.

Në momentin që e patën një “tufë të fortë” të këngëve të përfunduara, Young kishte një tjetër problem: Ai nuk kishte bend e as solist.

Johnson iu bashkua AC/DC më 1980, pasi këngëtari i parë Bon Scott vdiq nga alkooli, të cilit iu kushtua edhe albumi “Back In Black” – një nga albumet më të shitura, me më shumë se 50 milionë kopje. Por filloi të ketë probleme me dëgjim.

“Nuk dëgjoja më pas 40-50 minutash dhe nuk i dëgjoja kitarat. Ishte monotone. Shumë e frikshme për një këngëtar”.

Johnsonit i ndihmoi një ekspert i dëgjimit, Stephen Ambrose, që tha se ka krijuar një pajisje për vesh që mund t’ia lejonte Johnsonit që të performonte pa i dëmtuar veshët. Dhe ky zbulim ia hapi rrugën atij që t’i kthehet bendit, por, sipas tij, Malcolm i ka bashkuar. “Edhe pse Malcolm s’është në mesin tonë, ai ka pasur karakter të fortë dhe ende nuk është dorëzuar. S’është se jemi njerëz që besojmë në shpirtra, por ai është këtu”.

Më pas, papritur, ylli i “Guns N' Roses” Axl Rose i ofroi ndihmë grupit, por kurrë nuk kishte qëllim që të ishte anëtar i përhershëm.

Image

Rikthimi i Ruddit

Bendi u ribashkuan së pari në funeralin e Malcolmit në Australi më 2017. “Pati një lidhje dhe një besim të heshtur, përderisa rrinim të ulur”, thotë Johnson. “Dhe mendoj se ajo qe shkëndija”.

Në atë kohë, Rudd i kishte lënë mbrapa problemet ligjore, të cilat, sipas tij, ishin ndikim i gjendjes jo të mirë psikike. AC/DC u ribashkuan në Vancouver më 2018 me producentin Brendan O'Brien.

Johnson rikujton se kishin dashur ta mbanin të fshehtë pasi nuk e dinin nëse do të krijonin diçka, por dikush iu kishte bërë fotografi dhe kështu ishin zbuluar.

Ishte albumi i parë pas vdekjes së Malcolmit.

“E ndienim përreth”, thotë Johnson. “Angus e ndjeu më shumë se kushdo pasi ishin vëllezër. Ai thoshte: “Jam duke biseduar në mendje me Malcolmin para se t’i shkruaj këngët”.

Ëndrra e prerë

Të incizosh në studio është tjetër, kurse të këndosh në koncerte është krejtësisht tjetër gjë. Fillimisht bendi kishte në plan ta incizonte videoklipin e këngës “Shot In The Dark”, por Young kishte ide të tjera. Ai sugjeroi që të bëjnë prova, vetëm sa për ta parë nëse mund t’ia dilnin. Dhe pastaj filluan. Bënë prova për 15 ditë rresht.

“Dhe, oh, ato buzëqeshje nëpër fytyrat tona. E kuptuam se po shkonte vërtet mirë dhe ishim shumë të lumtur. Më të lumtur sesa e meriton dikush”, është shprehur Johnson.

Pas disa ditësh ndërhyri goditja nga koronavirusi dhe ëndrrat për koncerte u shuan.

“E kam ëndërruar këtë ditë që të jem i sinqertë me ju”, thotë Johnson. “Ajo ndjenja kur të thonë : “Gjithçka gati” – thjesht mendoj se si do të dukej”.

“Shpresoj ta kem shëndetin. Shpresoj që njerëzit, publiku, mund të bashkohen përsëri dhe të jenë të sigurt, dhe ta nxjerrin jashtë energjinë.

“Sepse sapo Covidi të largohet, entuziazmi do të jetë fantastik. Dhe dua të jem aty kur të ndodhë kjo”.