Showbiz

Leona Lewis dëshiron ta adoptojë një fëmijë

Ylli i hitit “One More Sleep”, Leona Lewis, e ka pranuar se ajo dhe bashkëshorti i saj, Dennis Jauch, me të cilin është martuar në korrik të vitit 2019, mezi presin të bëhen prindër por ende janë duke i shqyrtuar mundësitë e tyre. Por, këngëtarja e pranon se dëshiron ta adoptojë një fëmijë, për shkak të eksperiencës personale të nënës së saj e cila ishte jetime.

“Unë dua të kem fëmijë, por Dennis dhe unë po ashtu kemi biseduar rreth adoptimit të një fëmije. Nëna ime është rritur në jetimore. Askush nuk e kishte adoptuar atë kur ishte e vogël, prandaj do të dëshiroja t’ia ofroja këtë mundësi një fëmije tjetër. Ende jemi duke i shqyrtuar mundësitë tona. Por nëse ky vendim do të varej tërësisht nga bashkëshorti im, ne tashmë do të ishim prindër”, citohet të ketë thënë Lewis për revistën “Stella”.

Leona dhe Dennis, sapo ishin zhvendosur në fermën e tyre në Kaliforni, kur u detyruan të vetizoloheshin si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Dhe këngëtarja 35-vjeçare ka treguar se ndihej shumë keq që nuk kishte pasur mundësi t’i sjellë në shtëpi kafshët e saja shtëpiake, transmeton Koha.

Tutje ajo ka treguar se pavarësisht vështirësive që i ka sjellë karantina, ajo e ka shfrytëzuar këtë kohë të lirë për t’u fokusuar në muzikën e saj.