Showbiz

“Coming 2 America” do të lansohet në platformën digjitale Amazon Prime

Descriptive Text

Filmi i ri i aktorit Eddie Murphy, “Coming 2 America” do të lansohet direkt në platformat digjitale.

Sipas portalit “Variety”, studioja filmike prapa këtij projekti “Paramount Pictures”, ia ka shitur të drejtat autoriale të vazhdimit të dytë të komedisë hit të vitit 1988, platformës Amazon ku edhe do të fillojë së transmetuari në dhjetor të këtij viti.

Ylli i filmit “Dolemite Is My Name”, Eddie Murphy, në këtë vazhdim të ri e përsërit rolin e Princit Akeem, 32 vjet pas lansimit të filmit të parë. Në një intervistë të fundit, aktori veteran citohet të ketë thënë se fansat nuk do të zhgënjehen me këtë projekt të ri, pasi i tërë ekipi realizues e ka bërë maksimumin për ta sjellë një komedi të mirë dhe kualitative.

Në filmin e parë, personazhi i Murphyt, Princi Akeem udhëton drejt New Yorkut për t’i ikur martesës së aranzhuar nga familja mbretërore, dhe kërkon të adaptohet me jetën e thjeshtë amerikane.

Vazhdimi i dytë zë vend disa vjet më vonë, kur Akeem duhet të bëhet mbret i shtetit të imagjinuar afrikan, Zamunda, si dhe mëson se e ka një djalë në Amerikë të quajtur Lavelle, për ekzistencën e së cilit nuk ka qenë në dijeni.

Regjinë e filmit “Coming 2 America” e ka bërë Craig Brewer. Regjisori citohet të ketë thënë se kjo ishte një ëndërr e tij e shndërruar në realitet, ngase ka qenë adhurues i madh i filmit të parë.

Në film po ashtu luajnë aktorët, Tracy Morgan, Arsenio Hall dhe Wesley Snipes, transmeton Koha.

“Coming 2 America” është projekti i fundit i studios “Paramount” që i është shitur ndonjë platforme digjitale në vend se të lansohet nëpër kinema. “The Trial Of The Chicago 7” dhe “The Lovebirds” ishin lansuar në platformën Netflix, derisa “projekti “Without Remorse” ishte blerë nga platforma Amazon.