Showbiz

Vazhdon ndryshimi i datave të lansimit për filmat hollywoodian

Studioja “Warner Bros’ e ka shtyrë lansimin e filmit “The Batman” deri në vitin 2022, derisa pandemia e koronavirusit vazhdon të ndikojë në industrinë e filmit.

Filmi në të cilin aktori britanik, Robert Pattinson, debutonte në rolin e superheroit Batman, ishte planifikuar të lansohet nëpër kinema në tetor të vitit të ardhshëm, por tani është shtyrë për 4 mars të vitit 2022.

Ndërkohë së fundmi u bë i ditur lajmi se Robert Pattinson është kthyer sërish në sheshin e xhirimeve, pasi rezultoi pozitiv me koronavirus, dhe kështu u detyrua të izolohej për dy javë, transmeton Koha.

Disa filma të tjerë me superheronj që kanë pësuar ndryshime në datën e lansimit janë: “The Flash”, i cili tani vjen në ekran të madh më 4 nëntor 2022, “Shazam! 2”, që lansohet nëpër kinema më 2 qershor të vitit 2023, dhe “Black Adam” i cili fillimisht ishte planifikuar të publikohet për gjithë adhuruesit e filmit, në dhjetor të vitit të ardhshëm.

Sidoqoftë, shtyrja e lansimit të këtij projekti, bënë që filmi “The Matrix 4” ta shënojë premierën botërore më 22 dhjetor të vitit 2021, rreth katër muaj më herët se që ishte paralajmëruar.

Një tjetër projekt kinematografik i cili ka pësuar ndryshime në datën e lansimit është, “Jurassic World: Dominion”, i cili është shtyrë për vitin 2022. Vazhdimi i fundit në serinë e filmave për dinozaurë i rikthen në rolet protagoniste aktorët, Chris Pratt dhe Bryce Dallas Howard, krahas yjeve origjinal të këtij projekti, Jeff Goldblum, Laura Dern dhe Sam Neill. Fillimisht filmi ishte planifikuar të lansohet nëpër kinema më 11 qershor të vitit të ardhshëm, por është shtyrë për një vit. Lajmin e ka konfirmuar edhe regjisori i filmit, Colin Trevorrow, përmes rrjetit social Twitter.

Sipas “The Hollywood Reporter”, këto ndryshime të lansimit të filmave nuk janë rezultat i drejtpërdrejt i mbylljes së kinemave, por më shumë janë pasojë e vonesave të xhirimeve të shkaktuara nga pandemia.