Showbiz

Rikthehet bendi “AC/DC”, paralajmëron këngë dhe album të ri

Descriptive Text

Bendi legjendar i muzikës rok “AC/DC” i ka entuziazmuar fansat duke e bërë të ditur lajmin se po rikthehen në skenën muzikore, dhe këtë javë do ta lansojnë një këngë të re.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të grupit në Twitter, pesë anëtarët e “AC/DC” i informuan fansat se së shpejti do të ribashkohen për të lansuar materiale të reja. Ata i postuan dy video paralajmëruese të shoqëruara me mesazhin “A jeni gati?”.

Vokalisti Brian Johnson, bataristi Phil Rudd dhe basisti Cliff Williams, po i ribashkohen bendit australian pas largimit në vitin 2016 kur edhe e përfunduar turneun e fundit muzikorë. Në fotografinë e fundit të postuar në rrjetet sociale, ata shoqërohen nga muzikantët veteran, Angus dhe Stevie Young, transmeton Koha.

Ndërkaq sa i takon këngës së re, ajo e mban titullin “Shot in the Dark” dhe adhuruesit e bendit mezi po e presin lansimin e këtij projekti. Po ashtu para pak orëve, inxhinieri i zërimit njëherësh bashkëpunëtor i kamotshëm i bendit, Mike Fraser, e konfirmoi lajmin se ka punuar në albumin e ardhshëm të “AC/DC”, me titull “PWR/UP”. Ky incizim vjen pas albumit të fundit të grupit, “Rock Or Bust” të lansuar në vitin 2014.

Rok bendi “AC/DC” ishte themeluar nga vëllezërit Angus Young dhe vëllai i tij Malcolm, në vitin 1973. Rrugëtimi i tyre drejt suksesit nuk ka qenë i lehtë por ata ia kanë dalë t’i mbijetojnë disa sfidave, përfshirë këtu vdekjes së vokalistit të bendit, Bon Scott, në vitin 1980.

Albumi i bendit i vitit 1980, “Back in Black”, është një prej albumeve më të shitura në historinë e muzikës, me më shumë se 20 milionë kopje të shitura vetëm në Amerikë. Grupi nuk ka lansuar muzikë të re nga viti 2014, ndërsa turneu i tyre u fundit zuri vend më 2016-en.