Showbiz

Chris Hemsworth pjesë e filmit “Spiderhead”, i dyti me platformën Netlfix

Foto: Getty Images

Aktori i njohur australian, Chris Hemsworth është angazhuar për të luajtur në filmin e ardhshëm të platformës Netflix, me titull “Spiderhead”.

Ylli 37-vjeçar i filmit do të luaj krahas aktorëve, Miles Teller dhe Jurnee Smollett, në projektin e drejtuar nga regjisori Joseph Kosinski i cili është adaptuar në tregimin e shkurtër të shkrimtarit, George Saunders, transmeton Koha.

Ngjarja e filmit “Spiderhead” zë vend në një të ardhme të afërt dhe fokusohet në fatin e dy të burgosurve, të cilët bëhen pacient testues të një droge të re e cila i ndryshon emocionet njerëzore, dhe që i detyron ata të përballen me të kaluarën e tyre.

Skenari i filmit është shkruar nga skenaristët e filmave “Zombieland” dhe “Deadpool”, Rhett Reese dhe Paul Wernick, derisa regjisori Kosinski planifikon ta kthejë vëmendjen e tij drejt këtij projekti, pasi ta përfundojë punën rreth filmit të ardhshëm “Top Gun: Maverick”, me protagonist aktorin Tom Cruise.

Ende nuk ka datë të caktuar të lansimit të filmit “Spiderhead” në Netflix, derisa kjo nuk është hera e parë që ylli i filmave “Avengers”, Chris Hemsworth, po bashkëpunon me platformën e njohur digjitale. Në prill të vitit 2020 ishte publikuar filmi i tij i parë “Extraction”, i cili ishte i mbushur me skena aksion dhe u mirëprit nga publiku mbarë botëror.

Ndërkaq, së fundmi ylli hollywoodian ka deklaruar se nuk e ka në plan të heq dorë nga filmat me buxhet të lartë, “Thor”.

Hemsworth e ka portretizuar superheroin ikonik të studios “Marvel” nga viti 2011, por ai ende e dashuron këtë rol dhe është i emocionuar ta sjellë atë në ekran të madh me vazhdimin e radhës, “Thor: Love and Thunder”.