Showbiz

Princi Harry sot e feston ditëlindjen e 36-të

Foto: Getty Images

Princi i Britanisë së Madhe, Harry, të martën më 15 shtator i mbush plot 36 vjet.

I lindur në vitin 1984 me emrin Henry Charles Albert David, duka i Sussexit është djali i dytë i Princit Charles dhe princeshës Diana, e cila vdiq në një aksident me veturë teksa po ndiqej nga paparazzit në Paris, në vitin 1997.

Harry është nipi i mbretëreshës Elizabeta e Dytë dhe është personi i gjashtë në radhë për ta trashëguar fronin, pas babait të tij Charles, vëllait të madh William dhe tre fëmijëve të tij, George, Charlotte dhe Louis, transmeton Koha.

Në fillim të këtij viti, Harry hoqi dorë nga detyrat zyrtare si anëtarë i familjes mbretërore, dhe i zhvendos me bashkëshorten Meghan dhe djalin e tyre të vogël, Archie, në Kaliforni. Sipas rregullave të reja, Harry vazhdon ta gëzoj titullin e princit dhe së bashku me Meghan Markelin, vazhdojnë të jenë duka dhe dukesha e Sussexit. Por, ata nuk do të marrin pjesë në ceremonitë apo turnetë e ardhshëm të familjes mbretërore.

Në rini Harry portretizohej si një fëmijë rebel dhe një princ aventurier, dhe në vitin 2002 ai e pranoi se kishte konsumuar kanabis dhe alkool edhe në moshë të mitur. Por ai e ndërroi tërësisht imazhin e tij në media me t’u bërë pjesë e ushtrisë dhe shërbimit në frontin e parë në Afganistan. Karakteri i tij i butë me sens të mirë humori dhe sharmë të jashtëzakonshëm, e bënë atë një prej anëtarëve më të popullarizuar dhe më të pëlqyer të familjes mbretërore britanike.

Harry u takua me bashkëshorten e tij Meghan Markle, një aktore amerikane e shkurorëzuar, në një takim të verbër në Londër. Ata u martuan në maj të vitit 2018 në një ceremoni glamuroze në kështjellën Windsor, dhe nga fillimi e kanë fituar reputacionin e një çifti modern mbretëror.