Showbiz

“Mulan” në dispozicionin e publikut përmes platformës Disney +

Platforma digjitale Disney+ tashmë po e sjell në dispozicionin e publikut, filmin me buxhet të lartë “Mulan”.

Pasi shtyrjes së datës së lansimit disa herë si pasojë e pandemisë së koronavirusit, studioja prapa këtij projekti më në fund ka vendosur ta lansojë atë në platformën digjitale, nga 4 shtatori, transmeton Koha. Të gjithë parapaguesit e “Premier Access” kanë mundësi të paguajnë rreth 20 dollarë për ta parë filmin e shumëpritur.

“Mulan” me regji të Niki Caros, fillimisht ishte planifikuar të lansohej nëpër kinematë amerikane nga 27 marsi, si dhe tashmë kishte pranuar kritika të jashtëzakonshme nga ekspertët e filmit të cilët e kishin parë atë në fillim të atij muaji, me rastin e premierës botërore të tij.

Shumica e kritikëve e kishin quajtur “Mulan”-in, projektin më të mirë kinematografik të ripërpunuar nga një film i animuar, prej lansimit të filmit “Cinderella”.

“Mulan” e sjell historinë e një vajze të quajtur Hua Mulan, e cila në momentin ku Perandori i Kinës lëshon urdhër që një burrë nga secila familje duhet të shërbejë në ushtrinë e tij, për ta mbrojtur vendin nga pushtuesit Veriorë, ajo vendos ta zërë pozitën e babait të saj të moshuar. Por, vajza guximtare detyrohet të maskohet sikur burrë, në mënyrë që ta realizojë planin e saj, sepse atëkohë gratë nuk lejoheshin në ushtri. Kështu Mulan e bën të pamundurën për ta vërtetuar potencialin e saj si luftëtare. Nga këtu nis rrugëtimi i saj epik që e transformon në një luftëtare të nderuar dhe ia fiton respektin e mbarë shtetit, por mbi të gjitha e bën krenar babanë e saj të dashur.