Showbiz

Scott Disick dhe Sofia Richie janë ribashkuar

Çifti i njohur i showbizit, Scott Disick dhe Sofia Richie, i kishin dhënë fund lidhjes së tyre dy vjeçare në maj të këtij viti, por siç duket kanë vendosur të ribashkohen sërish, duke e ndarë këtë lajm edhe me miqtë dhe të afërmit e tyre.

Një burim i dyshes për revistën “Us Weekly”, ka deklaruar: “Ata janë ribashkuar dhe vazhdojnë të jenë në lidhje romantike”.

Sipas këtij burimi, 37-vjeçari Disick dhe 21-vjeçarja Richie, para se të ndaheshin kishin filluar të kenë probleme në lidhjen e tyre, prandaj kanë pasur nevojë për një pauzë të shkurtër që të kalonin kohë larg njëri-tjetrit.

Ylli i emisionit televiziv “Keeping Up with the Kardashians”, i cili i ka tre fëmijë me ish-partneren e tij Kourtney Kardashianin, Mason, Penelope dhe Reign, aktualisht është në gjendje të mirë emocionale dhe mendore. Këtë e ka arritur falë kalimit të një kohe të shkurtër në një qendër rehabilituese, dhe kohës që e ka kaluar me fëmijët e tij, transmeton Koha.

“Sofia ka dashur që Scott t’i tejkalojë disa probleme personale dhe t’ia ofroj mundësinë që të fokusohet tek vetja dhe familja e tij, para se të merret me lidhjen e tyre romantike. Këta muajt e fundit, ai është ndier shumë më i qetë dhe i hapur me njerëzit jashtë rrethit të tij të ngushtë. Dhe, siç duket, problemet që ishin mbledhur në lidhjen e çiftit para pandemisë, gjatë pauzës së shkurtër mes tyre janë rregulluar dhe sqaruar në tërësi, prandaj tani Sofia po ndihet më rehat në praninë e Scottit, dhe e ka lejuar të rikthehet në jetën e saj,” ka përfunduar tutje burimi i afërt i dyshes.

Në muajin maj, Disick së bashku me anëtarët e familjes Kardashian/Jenner, kaluan ca kohë së bashku në Utah ku edhe e festuan ditëlindjen e tij të 37. Personaliteti televiziv dhe biznesmeni i njohur, ka shpjeguar se i pëlqen të kalojë kohë me ish të dashurën dhe nënën e fëmijëve të tij, ngase tani ata e shohin veten si miq të ngushtë.