Showbiz

Sam Mendes, regjisor i filmit dhe mjeshtër i teatrit

Në kuadër të rubrikës “Në Fokus” të edicionit të kaluar të emisionit “Nëpër Film”, u prezantua biografia e regjisorit, Sam Mendes.

Samuel Alexander, ndryshe i njohur si Sam Mendes, është regjisor i teatrit dhe i filmit, më së miri i njohur për filmin e tij debutues të shpërblyer me “Oscar”, “American Beauty”, dhe risitë të cilat i ka sjellë në skenën teatrore me shfaqjet muzikore, “Cabaret”, “Olivier”, “Company” dhe Gypsy”.

Mendes u lind në Reading të Anglisë nga prindër të përzier, babai portugez dhe e ëma hebraike e Britanisë së Madhe. Regjisori e ka ndjekur shkollën “Magdalen College” të Oxfordit, ndërsa ka diplomuar në Universitetin e Cambridge-it, ku e ka studiuar gjuhën angleze. Mendes në vitin 2001 ishte takuar me aktoren Kate Winslet, së cilës ia kishte ofruar një rol në një shfaqje të teatrit “Donmar Warehouse”, ku ai punonte si drejtor artistik. Çifti e kishte kurorëzuar lidhjen e tyre me martesë në vitin 2003, dhe së bashku e kanë sjellë në jetë një djalë. Por kësaj martese i kishte ardhur fundi në vitin 2011. Gjashtë vjet më vonë, Mendes është martuar me trumbisten Alison Balsom, me të cilën e solli në jetë një vajzë.

Mendes gjithë karrierën e tij e ka zhvilluar mes teatrit dhe filmit. Para se të mbushte 25 vjet, ai e kishte rrëmbyer vëmendjen e publikut me realizimin e shfaqjes “The Cherry Orchard”, në të cilën luante aktorja e njohur botërore, Judi Dench. Menjëherë pas këtij projekti, regjisori iu bashkua kompanisë “Royal Shakespeare”, ku realizoi shumë shfaqje, në mesin e tyre, “Troilus and Cressida”, “Richard III” dhe “The Tempest”. Ai po ashtu ka punuar në Teatrin Kombëtar Mbretëror, ku e ka bërë regjinë e projekteve të njohura, si: “The Rise and Fall of Little Voice”, “The Birthday Party” dhe “Othello”. Shfaqje të shumta janë prodhuar nga mjeshtri i teatrit, Sam Mendes, të cilat kanë shënuar suksese të mëdha, por edhe ia kanë ndërtuar një reputacion të mirë si regjisor.

Debutimin regjisorial në kinematografi e shënoi me filmin tejet të suksesshëm në arkat filmike, “American Beauty”, ku rolin e protagonistit e luajti ylli Kevin Spacey. Ky projekt i arkëtoi gjithsej 356 milionë dollarë nga shitja e biletave anembanë botës, si dhe i fitoi regjisorit një shpërblim “Globi i Artë”, një “BAFTA”, një shpërblim “DGA” dhe një çmim “Oscar” në kategorinë “Filmi më i mirë”. Filmi i dytë i Mendesit ishte “Road to Perdition” dhe u publikua në vitin 2002. Edhe ky projekt u mirëprit nga kritika, duke u vlerësuar lart puna e regjisorit dhe e aktorit protagonist, Paul Newman, ndërsa nëpër kinema filmi arriti të shesë bileta në vlerë prej 181 milionë dollarëve. Atëkohë, filmi ishte nominuar në 6 kategori të shpërblimeve akademike, por u nderua për “Kinematografinë më të mirë”.

Filmi i ardhshëm i Mendesit ishte ai i vitit 2005, “Jarhead”, por ky projekt pranoi kritika të përziera dhe i arkëtoi vetëm 97 milionë dollarë nga shfaqja nëpër kinema. Ndër filmat e tjerë të njohur të regjisorit janë: “Revolutionary Road”, ku ka luajtur ish-bashkëshortja e tij, aktore e shpërblyer me “Oscar”, Kate Winslet, “Away We Go”, një film i zhanrit komedi dhe dramë, cili e hapi edicionin e vitit 2009 të festivalit ndërkombëtar të filmit në Edinburgh, “The Hunger Games”, “Skyfall”, “The Kite Runner”, “Thing We Lost in the Fire”, “Spectre” dhe të tjerë.

Filmi i tij i fundit është “1917”, një dramë e Luftës së Parë Botërore, e cila ka arritur suksese të jashtëzakonshme, duke u nominuar në të gjitha ceremonitë shpërblyese, përfshirë këtu atë “Oscar”.