Showbiz

“Netflix”-i paralajmëron sezonin e gjashtë të “The Crown”

Descriptive Text

Gjiganti “Netflix” ka vendosur që ta nisë prodhimin e sezonit të gjashtë të serialit të famshëm “The Crown”, që shtjellon jetën e mbretëreshës britanike Elizabeth dhe familjes mbretërore. Fillimisht ishte menduar që seriali të përmbyllet me 5 sezone, por adhuruesit e tij kanë kërkuar vazhdimin.

Krejt kjo nga droja se në projekt nuk do të përfshiheshin problemet bashkëshortore përbrenda monarkisë, një anë kjo e jetës së familjes mbretërore që intrigon shikueshmërinë më së shumti.

“Më se 73 milionë familje kanë ndjekur këtë serial rregullisht dhe përfundimi i tij me 5 sezone do t’i linte ata të zhgënjyer”, ka thënë skenaristi Peter Morgan. Sipas tij, ekipi ka vendosur që të përqendrohet më shumë në hollësitë nga mënyra e jetesës në pallat. Sezoni i gjashtë pritet t’i mbajë shikuesit me rrëfimet nga zhvillimet në pallatin Buckingham deri në fillim të viteve 2000.

“Për të qenë të sigurt, sezoni i gjashtë nuk do të na ofrojë përjetimet në vitet e tashme, thjesht po na jep mundësi që të ndalemi më shumë në detaje”, ka thënë Morgan.

Ndërkohë, premiera e sezonit të katërt do të shfaqet nga fundi i këtij vitit, me aktoren Olivia Colman që do ta portretizojë mbretëreshën Elizabeth në moshë të mesme.

Pas saj, rolin e mbretëreshës pritet që ta marrë përsipër Imelda Staunton, e cila edhe do ta përmbyllë sezonin e katërt. Në këtë sezon, ku në rolin e kryeministres Margaret Thatcher paraqitet aktorja Gillian Anderson, në lojë do të hyjë edhe princesha e Wellsit, Diana, të cilën e portretizon aktorja, Emma Corrin.