Showbiz

Aktori Sam Heughan i preferuari i publikut për rolin e agjentit James Bond

Ylli i serisë “Outlander”, Sam Heughan, i cili në vitin 2006 kishte bërë audicione për ta portretizuar agjentin e famshëm 007, por kishte humbur nga aktori Daniel Craig, e ka kryesuar listën e një sondazhi të fundit me ç’rast nga 80 mijë fansa anembanë botës, 30 për qind prej tyre e kanë votuar Heughanin për ta portretizuar këtë rol ikonik, në filmat e ardhshëm me buxhet të lartë “James Bond”.

Tim Glanfield, kryeredaktori i portalit “RadioTimes.com” që e ka kryer sondazhin, tha: “Sam është shumë i njohur dhe pëlqyer ndër fansa, dhe fitorja e tij në këtë sondazh e vulos dhe më shumë pozitën e tij si një prej aktorëve të preferuar të publikut, për një prej roleve më të njohura filmike. Duke qenë se një numër i madh i talentëve të kinematografisë janë të interesuar ta marrin përsipër këtë rol nga aktori, Daniel Craig, padyshim Sam do të përballet me një konkurrencë të fortë, por kjo votë e madhe e vetëbesimit duhet të jetë diçka që producentët e filmave ‘James Bond’ do ta marrin në konsideratë.”

Aktori i njohur, Tom Hardy u rendit i dyti në këtë listë, me fitimin e 14 për qind të votave të publikut, derisa ylli i filmit “Man From U.N.C.L.E.”, Henry Cavill, u rendit i treti me 11 për qind të votave, transmeton Koha.

Top pesëshja u plotësua me aktorët, Idris Elba dhe Tom Hiddleston, që të dy emra të cilët ishin përmendur edhe në të kaluarën si persona potencial për ta portretizuar James Bondin në ekran të madh.

40-vjeçari Sam Heughan, në të kaluarën e kishte pranuar se portretizimi i agjentit më të famshëm në botë, do të ishte një ëndërr e shndërruar në realitet për të.

“Sigurisht se është ëndrra e çdo aktori ta luaj këtë rol. Unë kam bërë audicione kur po realizohej filmi i 21-të ‘James Bond’ dhe kur Daniel Craig u përzgjedh për të luajtur në ‘Casino Royal’. Mendoj se shumë aktorë kishin ardhur në Britani të Madhe atëkohë, enkas për këtë projekt. Po ashtu mendoj se do të ishte diçka e jashtëzakonshme që në ekran të rikthehej një James Bond nga Skocia. Kush nuk do ta dëshironte një gjë të tillë,” citohet të ketë thënë aktori.