Showbiz

Prishtina, në zemër të Alban Skënderajt

Që kantautori Alban Skënderaj vazhdon të mbetet një ndër këngëtarët më të preferuar të publikut në Kosovë, e tregoi edhe një herë koncerti i tij recital, “Tingujt e ditarit tim”, në mbrëmjen e 1 qershorit. Koncerti u mbajt në ambientin e hapur të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Shiu nuk i ndali aspak fansat të mblidheshin, edhe pse ata pritën gjatë, pasi koncerti nuk filloi në kohën e paralajmëruar, nga ora 19:30, transmeton emisioni Express në KTV.

Megjithatë, pritja sikur ia vlejti. Për ta bërë një mbrëmje festive, ishin fishekzjarrët e shumtë, të cilët u ndezën pak para se në skenë të shfaqej kantautori Alban Skënderaj, bashkë me një bandë prej 30 instrumentistësh profesionistë që kishin ardhur nga Shqipëria.

Gjithçka nisi me tingujt e këngës “Eklips” dhe për pak sekonda, Alban Skënderaj shfaqet në skenë, kështu duke mos munguar duartrokitjet e brohoritjet nga publiku i shumtë.

Dhe si çdoherë tjetër, ata kënduan bashkë më Albanin, i cili përreth dy orë këndoi live disa nga hitet e karrierës së tij muzikore.

Pritja e ngrohtë që i bëri publiku bëri që Albani të emocionohet dhe të përlotet në skenë.

Këngët si “Diçka”, “Mirë se vjen në shpirtin tim”, “Më prit atje”, “24 orë”, “Refuzoj”, “Nëse thua po”, “Urat e jetës”, “Një ëndërr”, “Je ti”, etj, erdhën në një version krejt tjetër, me një përzierje mes tingujsh latin, reagge, pop dhe rock.

Gjatë koncertit, në një moment, pati probleme teknike dhe nuk po dëgjohej zëri i Albanit. E megjithatë, ai nuk u ndal, vazhdoi të këndojë bashkë me adhuruesit e muzikës së tij.

Repertori ka vazhduar edhe më këngë, të cilat Albani i ka publikuar së fundmi, kështu duke i kënduar për herë të parë në skenë.

Kjo mikpritje e bëri Alban Skënderajn të deklarojë sërish se Prishtina mbetet një nga vendet që i ka falë shumë artistikisht.

Sipas kantautorit, ky koncert vjen në një format krejt tjetër nga koncertet e tij që janë mbajtur më parë.

Një frymë tjetër koncertit i dha edhe mjeshtri i violinës, Olen Cesari, i cili njihet për performancat e tij magjike në koncerte të shumta në shtete të ndryshme të botës. Tingujt e violinës së Cesarit e shoqëruan Albanin, derisa e interpretoi këngën “Më prit atje”.

Ky koncert përfundoi me një kolazh këngësh, si: “Mrekullia e 8”, “24 orë”, e “100 premtime”, të cilat po ashtu ndikuan që atmosfera të ndizej edhe më shumë.

Krejt në fund, shumë nga adhuruesit e këngëtarit nuk u larguan pa e takuar atë, kështu duke e shfrytëzuar rastin edhe të bëjnë fotografi me idhullin e tyre.