Showbiz

Tom Hanks kritikon amerikanët që refuzojnë të mbajnë maska në fytyrë

Descriptive Text

Aktori i shquar për karrierën e pasur filmike, Tom Hanks, bashkë me gruan e tij, Rita Wilson, ishin ndër të famshmit e parë të infektuar me koronavirus dhe të cilët fatmirësisht kanë arritur të shërohen plotësisht. Por tani, ai po i kritikon ashpër të gjithë ata amerikanë të cilët po refuzojnë të mbajnë maska në fytyrë.

Aktorët 63-vjeçarë, Hanks dhe Wilson, ishin sëmurë me COVID-19 në mars të këtij viti derisa ndodheshin në Australi, por kanë arritur ta marrin veten pasi i kanë respektuar të gjitha rregullat e karantinës, transmeton Koha.

Çifti i famshëm i showbizit edhe sot vazhdon t’i ndjekë rregullat bazë të mbrojtjes nga virusi vdekjeprurës, duke e ruajtur distancën sociale, duke mbajtur maska në fytyrë gjatë kohës që janë në publik si dhe duke i lartë duart rregullisht.

Dhe së fundmi, ylli i filmit “Castaway” i ka nxitur njerëzit që ta shfrytëzojnë mendimin praktik, dhe të tregohen të arsyeshëm karshi kësaj pandemia globale.

Hanks gjithashtu i ka kritikuar të gjithë ata njerëz që nuk po i respektojnë rregullat e sigurisë, që kanë për qëllim ta parandalojnë përhapjen e këtij virusi i cili i ka shkaktuar më shumë se gjysmë milion viktima anembanë botës.

Në një deklaratë të fundit të realizuar online, Hanks tha: “Ekzistojnë vetëm tri gjëra që ne si popull mund t’i bëjmë për t’u siguruar që të kemi të nesërme: Mbani maska në fytyrë, ruajeni distancën sociale dhe lani duart shpesh. Këto tri gjëra bazë janë shumë të thjeshta, të lehta dhe secili nga ne mund t’i praktikojë ato. Mos u bëni idiotë dhe përmbushni obligimet tuaja. Zot i madh, është thjeshtë mendim praktik.”

Aktori i filmit ikonik “Forrest Gump”, tregoi se ai dhe gruaja e tij po ndihen mirë me shëndet, duke shtuar se kanë qenë pacientë model të shëruar nga koronavirusi. Tutje, Hanks deklaroi se nuk është i sigurt se kur do të mund t’i kthehet punës.