Showbiz

“MTV Video Music Awards” mbahet në gusht të këtij viti

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “MTV Video Music Awards” do të mbahet në New York, në fund të muajit gusht.

Kështu ka bërë të ditur guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo, duke e shënuar kështu ngjarjen e parë shpërblyese që do të mbahet në formë fizike, prej se pandemia e koronavirusit e pushtoi botën.

Sipas organizatorëve të “MTV Video Music Awards” dhe guvernatorit Cuomo, ceremonia e ndarjes së çmimeve muzikore do të zërë vend në 30 gusht në qendrën “Barclays” në Brooklyn, dhe do të mbahet sipas rregullave strikte të sigurisë. Besohet se ajo do të mbahet me numër të limituar ose pa publik fare, transmeton Koha.

Sa i përket performancave të yjeve, ato do të mbahen në një lokacion të panjohur në New York City, nën masa të rrepta të sigurisë. Ende nuk është e qartë sa performance do të përfshihen në këtë edicion të shout.

New York City ka qenë vendi më i goditur në Amerikë nga koronavirusi, por tani gradualisht po del nga karantina e vendosur me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit vdekjeprurës.

Tradicionalisht, ceremonia “MTV Video Music Awards” përfshinë performance live të disa prej yjeve më të mëdhenj të muzikës, si dhe konsiderohet një prej ngjarjeve vjetore më të rëndësishme në kalendarin kulturor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Performuesit dhe nominimet për edicionin e muajit gusht nuk janë lajmëruar ende.