Showbiz

Alicia Keys do ta udhëheqë një shou special të organizuar nga “Nickelodeon”

Ylli 39-vjeçar i muzikës, Alicia Keys, thotë se është e lumtur që do ta prezantojë një shou special të organizuar nga televizioni “Nickelodeon”, e i cili i dedikohet lëvizjes “Black Lives Matter”.

Këngëtarja e famshme amerikane do ta prezantojë ngjarjen me titull, “Kids, Race and Unity: A Nick News Special”, e cila ka për qëllim t’i vë në fokus eksperiencat e fëmijëve zezak nga e gjithë Amerika, pas protestave të fundit kundër racizmit sistematik në vend të shkaktuara pas vrasjes së George Floydit nga policia, transmeton Koha.

Fituesja e shumë shpërblimeve muzikore, Keys, ka deklaruar: “E kam pasur një vizion lidhur me krijimin e një forumi i cili i angazhon fëmijët gjatë kësaj kohe dhe na ndihmon ta fokusojmë vëmendjen në atë që po e ndjejmë në këtë situatë në të cilën gjendemi. Dhe ky shou special i ‘Nickelodeon’ është pikërisht projekti që e kisha menduar.”

Alicia Keys mendon se është e rëndësishme t’i adresohemi çështjeve të racizmit sistematik dhe brutalitetit policor në Amerikë.

Këngëtarja e cila i ka dy djem, Egypt dhe Genesis, me bashkëshortin Swizz Beatz, tha se të folurit për racën mund të jetë një temë e ndjeshme dhe e parehatshme, dhe nganjëherë ne duam t’i mbrojmë fëmijët nga racizmi të cilin ata mund të jenë duke e përjetuar tashmë. Por, në realitet nuk ke si t’i ikësh kësaj teme, sidomos nëse duam të ecim përpara.

Sipas këngëtares, ajo që po ndodhë në botë nuk është brengë vetëm e komunitetit të zezakëve, por e të gjithë njerëzve dhe nëse duam të ndryshojmë diçka në këtë drejtim, atëherë duhet të angazhohemi të gjithë së bashku.

Pjesë e këtij shou përveç Alicia Keysit do të jenë edhe, Patrisse Cullors, Alicia Garza dhe Opal Tometi, bashkëthemelues të lëvizjes “Black Lives Matter”, të cilët së bashku do t’i përgjigjen pyetjeve të fëmijëve rreth kësaj fushate dhe çështjeve të racizmit në SHBA.

“Kids, Race and Unity: A Nick News Special” do të transmetohet në kanalet, “Nickelodeon”, “TeenNick” dhe “Nicktoons” të hënën më 29 qershor.