Showbiz

Beyonce në bisedime me studion “Disney” rreth një marrëveshjeje 100 milionë dollarësh

Descriptive Text

Superylli i muzikës, Beyonce, e cila e huazoi zërin për personazhin e Nalas në filmin e ripërpunuar “The Lion King” , si dhe e performoi një version të ri të kolonës zanore të këtij projekti, “Can You Feel the Love Tonight”, besohet se është në bisedime e sipër për ta nënshkruar një kontratë 100 milionë dollarësh me kompaninë e njohur “Disney”.

Nëse gjërat shkojnë mirë me këtë marrëveshje, atëherë Beyonce do të mund të angazhohet për ta interpretuar kolonën zanore të filmit të ri, “Black Panther 2”, i cili pritet të lansohet në vitin 2021 nga studio “Marvel”, transmeton Koha.

“Beyonce është bërë bashkëpunëtore e rëndësishme për kompaninë ‘Disney’ dhe përshtatet shumë mirë me brendin e tyre. Ajo ka punuar në disa projekte të kësaj studioje filmike, përfshirë këtu huazimin e zërit për personazhin Nala në ripërpunimin e filmit të animuar 'The Lion King', dhe tani, ata janë të interesuar ta sigurojnë atë edhe për disa projekte tjera. ‘Disney’ e ka prezantuar një marrëveshje prej 100 milionë dollarësh e cila e angazhon Beyoncen në tri projekte të mëdha të tyre, përfshirë këtu vazhdimin e dytë të filmit ‘Black Panther’,” citohet të ketë thënë një burim i afërt.

Këngëtarja 38-vjeçare shumë e dashur për publikun, besohet që gjithashtu do të shërbejë si narratore e disa dokumentarëve të platformës digjitale “Disney+”.

Në muajin prill, Beyonce e shënoi një performancë befasuese në ngjarjen e kanalit ABC, “Disney Family Singalong”, ku e interpretoi këngën “When You Wish Upon A Star” nga filmi i animuar klasik, “Pinocchio”.