Showbiz

Halsey po studion drejtësinë

Pop ylli 25-vjeçar i muzikës, Halsey, së fundmi e bëri të ditur lajmin se ka filluar të studiojë drejtësinë, dhe po bëhet gati t’i nënshtrohet provimit të jurisprudencës.

Përmes një mesazhi të shkurtër të postuar në Instagram, këngëtarja tha: “Drejtësia është argëtuese por mjaft e vështirë. Kam filluar të studioj për provimin e jurisprudencës.”

Halsey, e cila ishte larguar nga shkolla kur ishte vetëm 19-vjeçare, po i ndjek hapat e yllit televiziv, Kim Kardashian West, e cila po ashtu është duke studiuar drejtësinë dhe tashmë po bënë ndryshime në reformat e burgjeve, transmeton Koha.

39-vjeçarja e cila është e martuar me reperin Kanye West, i ka ndihmuar disa të burgosur të gjejnë drejtësi si dhe e ka inkurajuar presidentin e vendit, Donald Trump, për ta amnistuar të burgosurën Alice Marie Johnson.

Ndërkohë, vendimi i Halseyt për të studiuar drejtësinë, vjen pasi këngëtarja e bëri të ditur lajmin se do të pauzojë nga turnetë muzikorë, për një kohë të gjatë.

Para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit në Amerikë, ylli i hitit “You Should Be Sad” ua kumtoi fansave të saj lajmin që, turneu i cili ka për qëllim promovimin e albumit të saj, “Manic”, mund të jetë i fundit për të një të ardhme të parashikuar.