Showbiz

Filmi “The Last Days of American Crime” së shpejti në Netflix

Descriptive Text

Netflixi e ka lansuar trilerin e filmit të ri të mbushur me skena aksion, “The Last Days of American Crime”.

Olivier Megaton i njohur për filmin “Taken 2” e ka bërë regjinë e këtij projekti, në të cilin luajnë aktorët: Edgar Ramirez, Anna Brewster, Patrick Bergin dhe Sharlto Copley, edhe pse në trilerin dyminutësh është ylli i ekranit Michael Pitt, ai i cili e rrëmben vëmendjen me pamjen e tij me flokë të gjata, zinxhirë prej ari, tatuazhe dhe i armatosur rëndë.

I bazuar në novelën grafike të vitit 2009 të krijuar nga Rick Remender dhe Greg Tocchini, filmi “The Last Days of American Crime” zë vend në një të ardhme jo shumë të largët, ku si përgjigje finale ndaj krimit dhe terrorizmit Qeveria Amerikane planifikon ta transmetojë një sinjal, i cili ua bën të pamundur njerëzve ta shkelin ligjin qëllimisht.

Në këtë projekt, Edgar Ramirez e portretizon Graham Bricke-in, një kriminel i njohur që bëhet bashkë me një gangster të famshëm, Kevin Cash, i portretizuar në film nga aktori Michael Pitt, dhe me eksperten e tregut të zi, Shelby Dupree, rolin e së cilës e luan aktorja Anna Brewster, me qëllim që ta kryejnë vjedhjen më të madhe të shekullit dhe krimin e fundit në historinë e Amerikës, para se të fillojë transmetimi i sinjalit që e parandalon shkeljen e ligjit në vend.

Filmi do të transmetohet në Netflix në një kohë kur krimi në fakt ka rënë anembanë botës, për shkak të pandemisë së koronavirusit, edhe pse nuk është e qartë nëse kjo gjë po ndodh ngase shkelësit e ligjit po qëndrojnë në karantinë, apo ngase policia po praktikon ulje të thirrjeve, të cilave po iu përgjigjen gjatë kësaj kohe, transmeton Koha.

“The Last Days of American Crime” do të fillojë së shfaquri në platformën digjitale Netflix, më 5 qershor.