Showbiz

Mary J. Blige protagoniste e filmit “Body Cam”

Foto: Reuters

Prejse është shfaqur me rol të vogël në filmin e vitit 2017 “Mudbound”, këngëtarja e njohur Mary J. Blige e ka ndarë kohën e saj ndërmjet muzikës dhe aktrimit, duke u shfaqur në seri të ndryshme televizive si: “Scream: The TV Series” dhe “The Umbrella Academy”, transmeton Koha.

Aktorja e nominuar për “Oscar” tani e mban barrën e një filmi të tërë në projektin e saj të fundit, “Body Cam”, që është një triler supernatyror dhe flet për një police, e cila i heton vdekjet e pashpjeguara të kolegëve të saj.

“Unë i zgjedh rolet e mia në të njëjtën mënyrë siç i përzgjedh projektet muzikore. Pra, duhet të ketë kuptim për mua, por edhe të tjerët, si dhe duhet të jetë ndonjë projekt i cili më ka prekur mjaftueshëm për të dëshiruar të pranoj rolin. Pra, me duhet patjetër të kem mundësi të ndiej rolin edhe emocionalisht në mënyrë që të mund ta sjell në jetë. Njësoj veproj edhe me muzikën time”, ka thënë këngëtarja dhe aktorja.

Filmi e trajton temën e brutalitetit policor në Los Angeles. Blige e portretizon një police, e cila është duke u kthyer në shtëpi nga ndërresa e natës në detyrë, në ditën kur raportet mes policisë dhe komunitetit afrikano-amerikan tensionohen jashtë mase. Kur një polic vritet brutalisht, personazhi i këngëtares së shndërruar në aktore, Renee, sheh diçka jo të zakonshme në pamjet e xhiruara nga kamera e tij, dhe kështu vendos ta fillojë një hetim personal rreth rastit.

E pyetur pse e ka pranuar këtë rol, Blige tha: “Nuk kishte të bënte me faktin se filmi i takon zhanrit horror, edhe pse mua më pëlqejnë shumë këta filmi dhe është zhanri të cilin e preferon më së shumti, por në fakt arsyeja pse e pranova rolin ishte ngase sot ka aq shumë korrupsion në sistemin policor, saqë njerëzit kanë vërtet nevojë ta shohin se nuk janë të vetëm në këtë situatë.”

Filmi “Body Cam” do të fillojë së shfaquri në “Video on Demand” nga 2 qershori i këtij viti.