Showbiz

Rihanna i feston 15 vjet në industrinë e muzikës

Foto: Rihanna/Instagram

Superylli 32-vjeçar, Rihanna, e ka shfrytëzuar rrjetin social Instagram për ta shënuar 15 vjetorin e lansimit të këngës së saj debutuese, “Pon de Replay”, derisa adhuruesit e saj të entuziazmuar menjëherë i pushtuan rrjetet sociale për ta shënuar këtë përvjetor, me krijimin dhe shpërndarjen e hashtagut, #15YearsOfRihanna.

Ylli i hitit “Rude Boy” e kujtoi momentin dhe emocionet që i kishte përjetuar, derisa priste të bënte prova para reperit Jay-Z, në studion incizuese “Def Jam”.

Ajo gjithashtu tha se ndihet shumë falënderuese që e ka një bazë të adhuruesve kaq besnik, transmeton Koha.

“Faleminderit për gjithë këtë dashuri dhe hashtagun që e keni krijuar sot! Kjo është e pabesueshme. Më kujtohet sikur dje kur po dridhesha nga emocionet në korridoret e studios ‘Def Jam’, duke pritur të bëja prova për Jay-Z. Me këngën ‘Pon de Replay’ filloi gjithçka… 15 vjet më vonë dhe unë vazhdoj të jem këtu sepse Zoti më ka drejtuar tek ju, që vërtetë më keni ndihmuar, përkrahur, toleruar, më keni dashur, keni qenë të sinqertë me mua dhe për shkak të kësaj, ne kemi arritur të qëndrojmë gjithmonë të lidhur mes vete,” kishte shkruar Rihanna në mesazhin e saj.

{gallery}

Këngëtarja, aktorja dhe disenjatorja e modës, ka qenë mjaft e angazhuar gjatë kësaj periudhe të pandemisë, duke i dhuruar më shumë se 8 milionë dollarë për organizata të ndryshme të cilat i ndihmojnë personat e prekur nga COVID-19.

Madje, para një muaji Rihanna u kërkoi fansave të mos e pyesin më se kur do ta lansojë albumin e ri muzikorë, derisa është tejet e zënë duke provuar ta shpëtojë botën.

Pop ylli i njohur që nga viti 2018 po i ngacmon fansat rreth publikimit të albumit të ri, dhe vitin e kaluar u kishte premtuar atyre përmes Instagramit se do ta lansonte këtë incizim gjatë vitit 2019.

Sidoqoftë, albumi nuk është publikuar ende.

Gjatë një transmetimi live në Instagram, disa adhurues tentuan të nxjerrin informacione nga këngëtarja rreth datës së lansimit të albumit, dhe e acaruar dhe me një dozë të humorit, Rihanna iu përgjigj troç: “Do të hidhërohem shumë nëse edhe ndonjëri prej jush më pyet rreth albumit tim, në këtë kohë kur po mundohem ta shpëtoj botën, për dallim prej presidentit tuaj.”

Derisa adhuruesit e saj e presin me padurim albumin e ri, Rihanna për portalin “Entertainment Tonight” kishte deklaruar se i pëlqen t’i kundërshtojë fansat e saj, sidomos kur vjen puna te vonesat e lansimit të albumeve.

“Puna rreth albumit është duke vazhduar. Më pëlqen t’i kundërshtoj fansat paksa… sepse edhe ata e bëjnë të njëjtën gjë me mua,” citohet të ketë thënë këngëtarja.

Rihanna nuk ka lansuar album muzikor që nga ai i vitit 2016, “ANTI”, kjo pasi është fokusuar më shumë në bizneset e saj si, “Fenty Beauty”, “Savage X Fenty” dhe “Fenty Maison”.