Showbiz

Kevin Hart dhe Eniko në pritje të një vajze

Aktori dhe komediani i njohur amerikan, Kevin Hart dhe bashkëshortja e tij, Eniko, janë në pritje të një vajze, transmeton Koha.

Çifti e bëri të ditur lajmin gjatë ditës së sotme, përmes postimit të disa fotografive në Instagram.

40-vjeçari Hart, tashmë i ka dy fëmijë nga martesa e parë me Torrei Hartin, vajzën Heaven dhe djalin Hendrix. Ndërsa me modelen 35-vjeçare, Eniko, me të cilën u martua në vitin 2015, aktori e ka edhe një djalë dy vjeçar të quajtur, Kenzo.

Hart është një prej aktorëve më të suksesshëm komik në hollywood, i njohur për filma të tillë si, “Get Hard”, “Central Intelligence” dhe “Night School”.

Vjetëve të fundit, ai ka arritur ta krijojë një lidhje të afërt kolegiale dhe shoqërore me aktorin, Dwayne 'The Rock' Johnson, me të cilin edhe ka luajtur në disa filma.

Pak muaj para se të shpërthente pandemia globale e koronavirusit, Kevin Hart, pësoi aksident serioz me veturë i cili i shkaktoi lëndime të mëdha në shpinë, dhe gati ia morri jetën. Fatmirësisht, aktori ka arritur të rikuperohet plotësisht dhe pas kësaj eksperience, ka deklaruar se ka filluar të shoh jetën më ndryshe duke u munduar ta shijojë në maksimum kohën që e kalon me më të dashurit e tij.