Showbiz

Vdiq aktori Jerry Stiller, babai i yllit hollywoodian Ben Stiller

Ylli i serisë “Seinfeld”, Jerry Stiller ka vdekur në moshën 23 vjeçare.

Lajmin e vdekjes së tij e bëri të ditur djali i aktorit, Ben Stiller, gjatë ditës së sotme, duke e postuar një mesazh në të cilën e quajti të ndjerin një baba të mrekullueshëm dhe bashkëshort të përkushtuar.

“Me pikëllim të thellë ju njoftoj se babai im, Jerry Stiller, ka vdekur nga shkaqe natyrore. Ai ishte një babai dhe gjysh i mrekullueshëm, por mbi të gjitha një bashkëshort i dashur dhe i përkushtuar ndaj gruas së tij, prej 62-vjetësh, Anne. Do të na mungojë shumë të gjithëve. Të dua babi.”

Vitin e kaluar, Jerry Stiller, ishte hospitalizuar si pasojë e disa problemeve shëndetësore, për çka madje ishte spekuluar se ka pësuar sulm. Por më vonë, këto spekulime ishin hedhur poshtë nga familjarët e tij.

Jerry Stiller ishte takuar me bashkëshorten e tij, Anne Meara, në vitin 1953 me të cilën edhe ishte martuar një vit më vonë. Dyshja që së bashku i sollën në jetë dy fëmijë, Ben dhe Amy Stiller, kishin qëndruar të martuar për 62 vjet, deri kur Meara vdiq në vitin 2015.

Ylli i filmave “Night at the Museum”, Ben Stiller, i cili shquhej për raportin e mirë me të atin, në të kaluarën kishte bërë të ditur se ëndërron që një ditë ta realizojë një dokumentarë për prindërit e tij, të cilët shpesh kishin bërë paraqitje së bashku në disa projekte televizive, përfshirë këtu emisionin “The Ed Sullivan Show”.

Jerry Stiller i cili njihej edhe për rolin e tij në serinë komike shumë të suksesshme, “King Of Queens”, ka luajtur krahas djalit të tij në disa projekte filmike përfshirë këtu filmat, “Zoolander” dhe “The Heartbreak Kid”.