Showbiz

Tom Cruise dhe NASA janë në bisedime për ta xhiruar një film në gjithësi

Aktori i njohur i filmave aksion, Tom Cruise, është në bisedime e sipër me agjencinë NASA, për ta xhiruar një projekt filmik në gjithësi. Kështu ka bërë të ditur shefi i kësaj agjencie. Besohet se biznesmeni, Elon Musk, do të jetë i përfshirë në këtë projekt i cili nëse arrin të realizohet, do të jetë filmi i parë në histori, i xhiruar në gjithësi, transmeton Koha.

“Agjencia NASA është e lumtur të punojë me aktorin Tom Cruise rreth realizimit të një filmi në Stacionin Hapësinor! Ne kemi nevojë për vëmendjen e mediave për t’i inspiruar gjeneratat e reja të inxhinierëve dhe shkencëtarëve, për t’i bërë planet ambicioze të NASA-s realitet,” kishte shkruar shefi i agjencisë, Jim Bridenstine, në Twitter.

 

 

Bridenstine nuk dha detaje shtesë rreth këtij projekti por ky lajm vjen vetëm pak kohë pasi portal “Deadline” kishte raportuar se ylli hollywoodian, Tom Cruise, është duke bashkëpunuar me kryeshefin ekzekutiv të kompanive “Tesla” dhe “SpaceX”, Elon Muskm në realizimin e filmit të parë që do të xhirohet në gjithësi.

Musk ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht bashkëpunimin, por postimit të Jim Bridenstine i ishte përgjigjur me mesazhin: “Duhet të jetë mjaft argëtuese”.

As zëdhënësit e aktorit Cruise nuk kanë pranuar ta komentojnë këtë lajm.

Besohet se planet rreth projektit në fjalë janë ende në fazën fillestare.

Ylli 57-vjeçar Tom Cruise, njihet për realizimin e të gjitha skenave të rrezikshme aksion në filmat e tij. Gjatë realizimit të filmit të ardhshëm “Top Gun: Maverick” aktori kishte drejtuar avionë luftarakë, dhe për filmat e “Mission: Impossible” ka qëndruar i varur jashtë një avioni teksa ai po ngjitej në qiell si dhe u ngjit në rrokaqiellin e famshëm “Burj Khalifa” në Dubai, që është ndërtesa më e gjatë në botë.

Xhirimet e filmit “Mission: Impossible 7” u pezulluan në muajin shkurt për shkak të shpërthimit të pandemisë në Itali. Kjo sëmundje ka bërë që të gjitha aktivitetet në Hollywood të anulohen, përfshirë këtu edhe mbylljen e kinemave anembanë botës.