Showbiz

Fansat e Adeles të bindur që këngëtarja e ka shtyrë lansimin e albumit të ri

Ylli britanik i muzikës, Adele, besohej se planifikonte ta lansojë albumin e saj të katërt të incizuar në studio, kah fundi i këtij viti, kjo pasi u kishte thënë të ftuarve në dasmën e një mikut të saj, që mund ta presin një album të ri në muajin shtator. Por tani, adhuruesit e këngëtares së famshme, janë të shqetësuar se do të duhet të presin edhe një vit për t’i dëgjuar këngët e reja të idhullit të tyre.

Producentët muzikor, Babyface dhe Teddy Roley, e kishin realizuar një betejë të drejtpërdrejt në Instagram, ku secili i kishte performuar nga 3 këngë, para se transmetimi të ndërpritej për shkak të problemeve teknike, dhe me këtë rast Adele e kishte postuar një koment ku thuhej: “Mos u çuditni, është viti 2020 – do të thotë nuk kemi mundësi për ta marrë atë që duam.”

Dhe pikërisht ky koment i këngëtares, ka bërë që fansat e saj të fillojnë të kenë dyshime se ajo e ka shtyrë lansimin e albumit të ri për vitin 2021, transmeton Koha.

Edhe pse ylli i baladave nuk e ka konfirmuar këtë lajm, adhuruesit e saj po spekulojnë se ajo do t’i bashkohet listës së artistëve të cilët i kanë shtyrë lansimet e projekteve të tyre, si pasojë e pandemisë së koronavisurit.

Në janar të vitit 2020, menaxheri i kantautores së njohur britanike e kishte konfirmuar lajmin se Adele do të lansojë muzikë të re gjatë këtij viti.

Për revistën “Music Week”, Jonathan Dickins kishte deklaruar se këngëtarja më në fund ka vendosur ta publikojë albumin e radhës, pas incizimit tejet të suksesshëm të vitit 2015 me titull, “25”.

Hera e fundit që këngëtarja shumë e dashur për publikun mbarë botëror na bëri të kuptojmë se shumë shpejtë pritet të sjellë muzikë të re, ishte në maj të vitit të kaluar për ditëlindjen e saj të 31-të.

“I mbusha 31-vjet falë zotit. Viti i kaluar më ka sfiduar tej mase por po e përballoj sa më mirë që është e mundur dhe po provoj tej mase të adaptohem. Për herë të parë në një dekadë, jam e gatshme ta ndjejë botën përreth dhe të qëndroj kokë lartë. Albumi i ri me titull “30” mund të publikohet së shpejti dhe për inatin tuaj, do të përmbajë muzikë krejt ndryshe nga ajo që jeni mësuar,” kishte shkruar duke bërë shaka Adele.

Gjatë vitit 2019, kantautorja e njohur për baladat e dashurisë, “Someone Like You” dhe “Hello”, e bëri publik lajmin se është ndarë nga bashkëshorti, Simon Konecki. Çifti kishte shtatë vjet lidhje dhe besohet se dashurinë e kishin kurorëzuar me martesë në vitin 2017. Adele, e cila njihet për ruajtën e privatësisë, dhe ish-bashkëshorti i saj Konecki, e kanë një fëmijë së bashku.