Showbiz

Kristen Stewart sot e shënon ditëlindjen e 30-të

Foto: Reuters

Aktorja e njohur amerikane, Kristen Stewart, sot e feston ditëlindjen e saj të 30-të. Stewart e cila u bë e famshme anembanë botës si tinejxhere duke e luajtur rolin e Bella Swanit në filmin e vitit 2008, “Twilight”, u lind në vitin 1990 në Los Angeles.

Në vitin 2010 dhe 2012, Stewart e ka kryesuar listën e përpiluar nga revista “Forbes” të yjeve më fitimprurës të Hollywoodit, transmeton Koha.

Ajo bëri histori në shkurt të vitit 2015 duke u bërë aktorja e parë amerikane e cila e fitoi një shpërblim “Cesar Award”, që konsiderohet si Oscari i Francës. Stewart, e cila ishte nominuar në kategorinë “Aktorja më e mirë në rol dytësor” për performancën e saj në dramën “Clouds of Sils Maria”, e pranoi këtë trofe në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve e cila zuri vend në Paris.

Stewart e cila dikur ishte në lidhje me kolegun e saj nga filmat “Twilight”, Robert Pattinson, më 2017-ën u bë lajm në mediat botërore me ta bërë të ditur lajmin se është biseksuale.

Ndër filmat e fundit të aktores janë “Charle’s Angeles”, “Seberg” dhe “Underwater”.