Showbiz

Dua Lipa po e vazhdon promovimin e albumit të ri përmes intervistave online

Foto: Dua Lipa/Instagram

Këngëtarja me prejardhje kosovare, Dua Lipa, e cila para pak javësh e lansoi albumin e ri muzikor me titull, “Future Nostalgia”, e ka pasur një eksperiencë shumë më ndryshe të promovimit të këtij incizimi krahasuar me albumin e saj debutues. Kjo për shkak se “Future Nostalgia” vjen për publikun mbarëbotëror, në kohë të pandemisë së koronavirusit.

Kjo gjë ia ka vështirësuar Lipës promovimin e këtij projekti në formën tradicionale, por kjo nuk do të thotë se këngëtarja nuk ka gjetur mënyra tjera kreative për ta promovuar albumin te adhuruesit e saj.

Se fundmi, yllin e muzikës pop e kemi parë duke realizuar lidhje direkte në rrjetet sociale si dhe paraqitje online në emisione të famshme amerikane, transmeton Koha.

Paraqitja e saj e fundit ishte në emisionin, “The Tonight Show: At Home Edition”, ku Lipa bashkëbisedoi me prezantuesin e këtij shou, Jimmy Fallon, rreth lansimit të parakohshëm të albumit, pritjes që publiku ia ka bërë këtij incizimi në këtë kohë të vetizolimit si dhe përkushtimin e saj në fushën e bamirësisë.

Si ambasadore e UNICEF-it për çështjet e refugjatëve, Lipa ka zgjedhur që në këtë kohë pandemie, fokusin ta drejtoj tek refugjatët të cilët janë më të rrezikuarit për t’u prekur nga koronavirusi, për shkak të kushteve në të cilat jetojnë. Ajo tregoi se përkrahjen e refugjatëve e ka shumë për zemër për shkak të historisë personale të prindërve të saj, Dukagjini dhe Anesa, të cilët kishin jetuar si refugjat për një kohë në Londër.

Ndër të tjera në këtë intervistë, Jimmy Fallon e informoi Lipën për një sukses të radhës që ajo e ka arritur, duke u bërë këngëtarja e parë britanike me tri këngë të pozicionuara në top dhjetëshen e toplistave muzikore në Britani të Madhe, që nga viti 1955.

Por vëmendjen më të madhe në këtë emision të realizuar online, e mori performanca e pop yllit e cila e interpretoi live hitin e saj të fundit, “Break My Heart”.

Edhe një herë, Dua Lipa, e vërtetoi se është një artiste me një zë të fuqishëm dhe talent të jashtëzakonshëm.