Showbiz

Harvey Wenstein dënohet me 23 vjet burgim

Descriptive Text

Ish-producenti i filmave, Harvey Weinstein është dënuar me 23 vjet burgim të mërkurën, pas sulmit seksual dhe dënimit të muajit të kaluar për përdhunim, një rast që shihet si fitore e lëvizjes “MeToo”, kundër ngacmimeve seksuale, raporton Reuters.

Dënimi iu shqiptua në gjykatën penale të Manhattanit nga James Burke, i cili kryesoi gjykimin e Weinsteinit.

Më 24 shkurt një juri e shpalli fajtor Weinsteinin për sulm seksual ndaj ish-asistentes së produksionit, Mimi Haleyi, dhe dhunimit të ish-aktores Jessica Mann, transmeton KOHA.

Dikur një nga producentët më me ndikim në Hollywood, Weinstein është përballur me mundësinë e një dënimi maksimal prej 29 vjetësh burgim.

Gjatë seancës dëgjimore, prokurori Joan Illuzzi i kërkoi Burkes të shqiptojë dënimin prej 25 vjet ose “afër” 25 vjet burgim me akuzën e aktit kriminal seksual të shkallës së parë që përfshin Haleyin dhe të shqiptojë dënimin tjetër me akuzën për përdhunim në shkallën e tretë që përfshin aktoren Mann. Me këtë akuzë kërkohet deri në 4 vjet burgim, por prokuroria nuk bëri asnjë kërkesë specifike.

Weinstein, i veshur me një kostum, dhe gjashtë gratë të cilat dëshmuan kundër tij ishin në gjykatë për procedurat.

Në një deklaratë emocionale në gjykatë, Haleyi foli për traumën që ka marrë që nga sulmi, duke thënë: “Më ka frikësuar thellësisht, mendërisht dhe emocionalisht, ndoshta në mënyrë të pariparueshme, ndoshta përgjithmonë”.

Prokurorët në dosjet e gjykatës, javën e kaluar thanë se dënimi duhet të pasqyrojë jo vetëm krimet për të cilat ai është dënuar por për “abuzim të përjetshëm ndaj të tjerëve”.

Mbi 100 gra, përfshirë aktore të famshme, kanë akuzuar Weinsteinin për sjellje të pahijshme seksuale të cilat i ka bërë me dekada, duke nxitur lëvizjen “#MeToo” kundër abuzimit seksual dhe ngacmimit.