Showbiz

Seriali “X-Men” mbyllet me “Logan” e Hugh Jackman në rolin e superheroit

Descriptive Text

“Logan” ishte mënyra perfekte për të mbyllur serinë e filmave “X-Men”, tha Hugh Jackman nga Tokio, ku ndodhet së bashku me regjisorin James Mangold, për premierën e filmit të mbajtur një javë përpara shfaqjes për publikun e gjerë japonez.

“Logan” është e 9-ta dhe e fundit herë, që aktori australian shfaqet në rolin e superheroit tejet popullor, të cilin e interpreton prej 17 vitesh.

“Shumë shpejt, pasi u realizua ‘The Wolverine’, një pjesë e xhirimeve të të cilit i bëmë këtu në Japoni, nisa të diskutoj me James dhe të dy shkuam pak a shumë në të njëjtin drejtim. Kjo ishte mënyra më e mirë për ta mbyllur serinë. Është gjithmonë e vështirë të largohesh nga festa, sidomos kur ajo është më e mira, në të cilën ke marrë pjesë në jetën tënde, por ishte e qartë se kjo mbetej rruga e duhur”, tha Hugh Jackman.

Mangold thotë se deshi ta nderonte këtë personazh në një mënyrë të ndryshme nga “skenari i përhershëm i shpëtimit të botës”.

“Të tillë filma përfundojnë shpesh kështu, me një lloj shpëtimi, me heqjen qafe të atij që është ‘i keqi’ i madh. Por unë mendova se ky ishte një rast i mirë për t’i bërë gjërat ndryshe”, tha James Mangold, regjisor.

Përgjatë dy muajve, “Logan” ka arritur të grumbullojë në mbarë botën 607 milionë dollarë, duke u kthyer në njërin prej filmave më fitimprurës të përshtatur për ekranin e madh nga serialet vizatimore.