Showbiz

Harvey Weinstein është shpallur fajtorë ndaj dy akuzave për sulm seksual

Producenti i poshtëruar Hollywoodian, gjatë ditës së hënë u shpall fajtorë nga gjykata e New Yorkut, në dy akuza të ndryshme për sulm seksual dhe si pasojë mund të dënohet me 25 vjet burgim.

Gjykimi i Weinsteinit filloi në janar të këtij viti, në të njëjtën ditë kur në gjykatën e Los Angelesit u ngritën akuza të reja kundër tij, për përdhunim dhe sulm seksual.

Juria e caktuar për rastin e producentit të njohur e përbërë nga shtatë burra dhe pesë gra, pas pesë ditësh të diskutimit, të hënën e shpalli vendimin në Gjykatën Supreme në Manhattan duke e shpallur atë fajtorë ndaj dy akuzave të ndryshme, transmeton Koha.net.

Weinstein u shpall fajtorë për akt seksual kriminal të shkallës së parë, dhe përdhunim të shkallës së tretë. Sipas raportimeve në “The New York Times”, producenti hollywoodian dukej i qetë dhe jo reagues, në momentin e shpalljes së vendimit në gjykatë.

Ndërsa, e përditshmja “The Guardian” ka raportuar se të akuzuarit për akt seksual kriminal të shkallës së parë, zakonisht dënohen me 5 deri në 25 vjet burgim.

Megjithatë, 67-vjeçari Weinstein i ka shpëtuar tri akuzave të tjera kundër tij, përfshirë këtu ato më seriozet, sulmi seksual grabitqar dhe përdhunimi i shkallës së parë.

Harvey Weinstein po mbahet në arrest deri në seancën e 11 marsit, kur edhe i caktohet masa e dënimit me burgim.