Showbiz

Justin Bieber thyen rekordin e Elvis Presleyt

Albumi i shtatë i Justin Bieberit, “Changes”, ka debutuar në maje të toplistës amerikane “Billboard”, duke e mundur rekordin e vendosur nga Elvis Presley para 59 vjetësh.

Këngëtari kanadez tani është solo artisti më i ri në moshë që i ka shtatë albume të pozicionuara në vendin e parë të kësaj topliste, duke e arritur këtë sukses në moshën vetëm 25-vjeçare, transmeton Koha.net.

Presley ishte 26-vjeçar ku e shënoi rekordin e artistit me shtatë albume të pozicionuara në vendin e parë, me albumin e vitit 1961 “Blue Hawaii”.

“Changes”, që është albumi i parë i Bieberit në katër vjetët e fundit, i ka shitur 231.000 kopje javën e kaluar, duke arritur ta zërë vendin e parë në toplistat muzikore, si në Amerikë ashtu edhe në Britani të Madhe.

Në këtë incizim, pop ylli problematik Bieber i këndon jetës sfiduese si yll tinejxher, hyrjen në moshë madhore dhe martesës me modelen dhe aktoren, Hailey Baldwin.

Toplista “Billboard” e ka konfirmuar lajmin se Bieber e ka thyer rekordin e mbretit të muzikës “Rock ‘n’ Roll”, Elvis Presley, por ka shtuar se, nëse grupet do të merreshin parasysh në këtë garë, atëherë të katër anëtarët e bendit “The Beatles” do të konsideroheshin triumfues, kjo ngase që të gjithë ishin më të ri të Bieberi kur e kanë lansuar albumin e shtatë muzikorë të pozicionuar në vendin e parë të toplistave.

Pavarësisht kësaj arritjeje të madhe në karrierën e tij, Justin Bieber, duket se nuk do të qëndrojë gjatë në pozitën e parë të toplistës së albumeve më të mira.

Pop grupi nga Korea Jugore, “BTS”, e ka lansuar albumin e ri “Map of the Soul: 7” të premten e kaluar, dhe ka arritur t’i shes më shumë se 4 milionë kopje të para-porositura anembanë botës. Kështu ka bërë të ditur kompania e tyre incizuese “Big Hit”.

Falë këtij suksesi, incizimi i ri i “BTS” bëhet albumi me shitjen më të madhe në botë, pas atij “Divide” nga Ed Sheeran i cili u publikuar në vitin 2017.