Showbiz

Shannen Doherty sërish në betejë me kancerin

Descriptive Text

Aktorja e njohur për rolet në seritë e suksesshme televizive “Charmed” dhe “Beverly Hills 90210”, Shannen Doherty, në emisionin “Good Morning America” e bëri të ditur lajmin se është diagnostikuar me shkallën e katërt të kancerit.

Doherty për herë të parë ishte diagnostikuar me kancerin e gjirit në vitin 2015, dhe pas operimit dhe trajtimeve tjera aktorja kishte bërë të ditur se është shëruar plotësisht. Por, fatkeqësisht, asaj i është rikthyer kjo sëmundje vdekjeprurëse, transmeton Koha.net.

Gjatë xhirimeve të sezonit të ripërpunuar të serisë “Beverly Hills”, që ndodhi pak muaj pas vdekjes së ish-kolegut të saj Luke Perry, aktorja kishte vendosur ta mbajë të fshehtë lajmin e rikthimit të kancerit ngase ka dashur ta nderojë mikun e saj.

“Ishte e çuditshme për mua të diagnostikohem dy herë me kancerin e gjirit. Ndërsa miku im i cili dukej se gëzonte shëndet të plotë, të vdiste para meje. Ishte vërtetë një lajm shokues. Dhe unë mendova se gjëja më e vogël që mund ta bëja, ishte ta nderoja me paraqitjen në këtë seri,” kishte deklaruar Doherty.

Aktorja e njohur për publikun mbarëbotëror për portretizimin e Brendas në serinë për tinejxherë “Beverly Hills 90210”, po ashtu e ka pranuar se e ka ndjerë si obligim ta bëjë publik lajmin e gjendjes së saj shëndetësore. Gjatë gjithë kohës, Doherty e kishte dokumentuar hapur betejën e saj me kancerin, duke postuar video të ndryshme të jetës me këtë sëmundje.