Showbiz

“Nusja nga Stambolli” në maratonën e peripecive

Edhe një javë dramatike do të na shoqërojë me episodet e reja të serisë “Nusja nga Stambolli”.

Kthimi i Boranëve në shtëpinë e tyre do të jetë ngjarja kryesore edhe gjatë kësaj jave.

Esma do të organizojë një festë të madhe në shtëpi dhe kështu përsëri do t'i kthehet gëzimi dhe shpresa familjes protagoniste. Thashethemet e njerëzve, sidomos të Kimetes, do ta bëjnë Esmanë që të shkojë e të ballafaqohet me Ademin. Është keqkuptim i cili do ta bëjë Esmanë të jetë shumë e ashpër dhe t'i thotë Ademit që më nuk do ta tolerojë ndonjë dredhi tjetër. Në festë do të vijë edhe Ademi i paftuar. Fikreti, i njohur si vëllai i ngutshëm në situata delikate, gati sa nuk do të nxjerrë problem me të. Nga ana tjetër Faruku në natën e festës do t'i ofrojë një bashkëpunim Ademit, dhe kjo do ta zemërojë Fikretin. Sfida e Ipekes për të mbajtur punën pas situatës së ndryshuar do të sjellë ngjarje të padëshiruara. Faruku do t'i bëjë një befasi të madhe Syrejasë. Gjatë javës marrëdhënia e Ademit me Gyneshen do të përparojë në drejtim pozitiv.

Na mbetet të shohim çka do të ndodhë pas festës kur Fikreti dhe Ademi takohen rastësisht në një lokal derisa kompania “Boran Turizëm” mban konferencë për shtyp, ku do të paraqesë vazhdimin e suksesshëm të punës.

Gjatë kësaj jave do të njihemi edhe me disa personazhe të reja. Ndër to është asistentja e re e Farukut. E kushërira e Ipekes, që do të jetë e pranishme në festën e Esmasë, do t’i nxjerrë disa probleme Osmanit, djalit më të urtë të familjes.

Shumë befasi, dramë dhe të papritura gjatë javës ju presin në episodet e reja, duke vazhduar maratona e peripecive të familjes Boran në ekranin televiziv. Ekskluzivisht vetëm në KTV në terminin e zakonshëm, çdo ditë pune nga ora 21:30.