Showbiz

Edhe Francis Ford Coppola kritikon filmat e Marvelit

Descriptive Text

Francis Ford Coppola i ka kritikuar filmat e Marvelit vetëm dy javë pasi Martin Scorsese i quajti filmat e Avengers dhe Iron Man si diçka që "nuk ka lidhje me kinemanë".

Coppola e mbrojti kolegun e tij filmbërës pasi e morri çmimin Lumiere në Francë të shtunën duke insistuar se adhuruesit e filmave nuk mësojnë asgjë nga filmat rekord-thyes të shefit të Marvel, Kevin Feige.

"Kur Martin Scorsese thotë se filmat e Marvel nuk janë kinema, ai ka të drejtë, sepse ne presim të mësojmë diçka nga kinemaja, ne presim të fitojmë diçka, ndriçim të mendjes, njohuri, frymëzim...", tha regjisori i “Apocalypse Now”. "Nuk e di se ndokush fiton ndonjë gjë duke e shikuar të njëjtin film vazhdimisht".

"Martin ishte i butë kur tha se nuk është kinema. Ai nuk tha se ata filma janë të neveritshëm, gjë që unë po them se janë."

Komentet e Coppolas u kritikuan nga fansat e filmit në internet me ç’rast një përdorues i Twitterit reagoi: "Jam i zhgënjyer kur i shoh komentet e Scorsese + Coppola në lidhje me filmat e Marvel MCU. Komentet e tyre i reflektojnë komentet me të cilat adhuruesit e stripave janë përballur për vite me radhë nga njerëzit të cilët i kanë përçmuar stripat dhe nuk pranojnë ta marrin në konsideratë se stripat mund të japin mësim apo të jenë letërsi sepse "ata janë nën nivelin e tyre".

Një tjetër përdorues shtoi: "Mendoj se më me dëshirë do ta shikoja një film tjetër të Marvel sesa një film tjetër të Francis Ford Coppola në këtë moment.

“Të paktën filmat e Marvelit kanë personazhe që ia vlen të festohen. I urrej këta regjisorë të moshuar që mendojnë se filmat duhet të jenë me një ton dhe stil."

Regjisorët e MCU Joss Whedon dhe James Gunn më parë e kritikuan Scorsese për komentet e tij, shkruan KOHA Ditore.

Regjisori i franshizës “Guardians of the Galaxy”, Gunn, shkroi në Twitter: "Martin Scorsese është një nga 5 regjisorët e mi të preferuar të gjallë. U zemërova kur njerëzit e kritikuan “The Last Temptation of Christ” pa e parë filmin. Jam i pikëlluar që ai tani po i gjykon filmat e mi në të njëjtën mënyrë".