Showbiz

A ishte viti 2016 më i miri i muzikës ndonjëherë

Cili ishte viti më i madh për muzikën? Shumë prej nesh, kur pyeten, me siguri do ta zgjidhnin një epokë nga rinia jonë.

Disa këngë ose albume që jua kujtojnë shkollën, vitet e adoleshencës suaj rebele ose kolegjin dhe universitetin janë ato që shumica e njerëzve do t’i zgjidhnin për t’u kthyer.

Por jo James Acaster.

Në librin e tij të ri, Perfect Sound Whothing, komediani argumenton se viti 2016 ishte viti më i mirë për muzikën. Dhe, sinqerisht, ai është goxha bindës.

Disa nga albumet që ai i nxjerr në pah ishin revolucionare dhe jashtëzakonisht të suksesshme. Për shembull, Lemonade e Beyonce ose Blonde nga Frank Ocean. Kanye West dhe Radiohead janë gjithashtu në listë, siç është edhe studio albumi i fundit i David Bowie, Blackstar, i publikuar disa ditë para vdekjes së tij.

Dhe ndërsa disa albume për të cilat ai shkruan janë shumë më të paqarta dhe nuk ka të ngjarë të mbahen mend nga dikush tjetër përveç fansave më të përkushtuar, Acaster thotë se në përgjithësi ky ishte një vit domethënës për evolucionin dhe inovacionin në muzikë.

“Ne duhet ta ndërpresim këtë klasifikim të muzikës moderne, sepse rregullat për atë që ishte viti më i mirë për muzikën e të gjitha kohërave vazhdojnë të bëhen nga njerëz të moshuar,” thotë ai, shkruan “Koha Ditore”. “I kam blerë mbi 500 albume nga viti 2016 ... dhe nëse i listoj albumet e mia të preferuara tani, shumica e tyre u publikuan në vitin 2016.

“Kështu që do të isha gënjeshtar nëse do të thosha që ndonjë vit tjetër ishte më i miri për muzikë. Thjesht mendoj se ka shumë lloje të ndryshme të muzikës tani, një nivel diversiteti në të gjitha zhanret. Njerëzit preferojnë muzikë të viteve 70’, dhe ende i keni të njëjtat stile si në vitet ‘70, por ka edhe më shumë. Muzika vazhdon të përparojë dhe vazhdon të bëhet më emocionuese”.

Acaster i analizon të gjitha këto duke e shijuar qartë debatin që e kanë nxitur pretendimet e tij, ndërsa ai ishte duke e promovuar librin. Dhe, siç e pranon ai, tema është subjektive dhe argumenti qendror i librit është qëllimisht provokues.

Image

“Nuk po përpiqem t’i bind njerëzit se viti 2016 është viti më i madh për muzikën e të gjitha kohërave, aq sa më pëlqen ta bëj këtë si shaka për njerëzit, dhe mund ta argumentoj”, shpjegon ai. “Por me të vërtetë, po përpiqem t’i bind njerëzit ta gjejnë vitin e tyre më të madh për muzikë. Unë e bëj atë deklaratë shumë herët. E gjitha ka të bëjë me vitin tuaj më të madh personal, dhe gjetjes së tij”.

Në fillim të këtij viti, Greatest Hits Radio e zhvilloi një studim në të cilin viti 1984 u votua si viti i preferuar muzikor i publikut - duke e cituar albumin e Prince Purple Rain, si dhe regjistrimet nga U2, Red Hot Chili Peppers, George Michael dhe Frankie Goes To Hollywood.

“Vitet ’80 ishin kohë e klasikëve”, tha prezantuesi Mark Goodier në atë kohë. “Artistët si Queen, Wham! dhe Madonna ishin në kulminacionin e tyre dhe, natyrisht, Band Aid i mblodhi disa nga aktet më të mëdha”.

Revista The Spectator, ndërkohë, më herët e kishte nominuar vitin 1971 (me albume klasike nga Marvin Gaye, Joni Mitchell, David Bowie dhe Led Zeppelin), ndërsa The Guardian e nominoi vitin 1966 (The Beach Boys, Bob Dylan dhe The Beatles).

Të gjitha këto sugjerime krejtësisht ë pranueshme - dhe të parashikueshme - të epokave klasike.

Në moshën 34-vjeçare, është për t’u habitur që Acaster, i cili është i njohur për paraqitjet në serialet si 8 out of 10 Catsdhe Have I Got News For You si dhe stand-up-i i tij, ka zgjedhur t’i identifikojë dhe promovojë albumet nga një vit më i vonshëm.

Por udhëtimi i tij i zbulimit muzikor është shkon përtej vetë albumeve.

Në vitin 2017, Acaster e pati një ndarje, të shkaktuar pjesërisht nga prishja e një marrëdhënieje afatgjatë. “Thjesht u bë e tepërt,” shpjegon ai. “Shumë punë, pak kohë përpushim. Dhe pastaj gjërat personale që më ndodhnin do të thoshin se nuk mund ta përballoja më.

“Fillova të shkoj në terapi, dhe mendova se do të do të flisnim vetëm për këto gjëra të fundit që ndodhën dhe se si kanë ndikuar në mua dhe se si nuk mund t’i përballoja. Dhe u çudita që po flisnim për tërë jetën time. Dhe kur shikova prapa thashë, ‘kjo po vinte prej kohësh’.

“Dhe thjesht i injoroni të gjitha shenjat sepse mendoni se“ unë duhet të ndihem i stresuar herë pas here”. Dhe pastaj lejoni që të gjitha këto të grumbullohen. Dhe nuk pranoni asgjë dhe nuk bëni asgjë të shëndetshme për këtë”.

Duke ia caktuar vetes detyrën e blerjes së muzikës ekskluzivisht nga viti 2016 - “një vit para se gjithçka të shkonte keq”, siç e thekson njoftimi për shtyp për librin – kjo shërbeu si jë shpërqendrim i mirëpritur.

Sidoqoftë, muzika mund të jetë një nxitje për këdo që ka kaluar diçka të dhimbshme. Filloni t’i ndjeni tekstet, në vend që t’i dëgjoni, përcjell “Koha Ditore”. Por Acaster thotë se zbulimi i kaq shumë muzike të re do të thoshte se nuk kishte asnjë lidhje negative me lidhjen e tij të mëparshme.

“Normalisht e kam të vështirë të dëgjoj këngë të caktuara, sepse ato ishin një nga tonat, të cilat i dëgjuam së bashku. Dhe kështu, gjëja pozitive e kësaj ishte që asnjë prej tyre nuk ishin këngët tona, sepse ishte e gjithë një muzikë e re që e dëgjoja, kështu që mund ta identifikoja veten më këto gjëra të reja”.

Libri është diçka që nuk do të ishte shkruar madje as vetëm 10 vjet më parë, kur shëndeti mendor i meshkujve ishte një temë shumë më tabu. Por Acaster e mirëpret ndryshimin në qëndrimet aktuale.