Showbiz

Matrix: Si kanë kaluar “katërshat” e filmave të tjerë?

Njoftimi i kësaj jave për vazhdimin e katërt në françizën Matrix, 16 vjet pas vazhdimit të dytë dhe të tretë, ka qenë edhe më i ngadalshëm sesa efekti i kohës së plumbave i prezantuar në filmin e parë.

Dhe megjithatë, lajmi e ka shkaktuar gëzimin e shumë fansave.

“Nuk mund të besoj se do të kaloj përsëri nëpër këtë stuhi”, tweetoi Sucre.

Të tjerët në internet, si adhuruesi i Spider-Man Cameron Magruder, megjithatë, dukej se kishin prioritet të tjera filmike. Ai postoi: “Pra, në vend se ta bëjmë Matrix 4 ... si thoni që ta mbajmë Spider-Man në MCU dhe ta lëmë me kaq”.

Filmi origjinal Matrix nga viti 1999 njihet si një film që e ka parashikuar të ardhmen dhe se ka ndikuar në gjithçka nga moda e shekullit 21, e deri në ngritjen e mediave sociale dhe rrëzimin e barrierave të gjinive.

Tani, yjet Keanu Reeves dhe Carrie-Anne Moss (përkatësisht Neo dhe Trinity) do të kthehen për edicionin e fundit, i cili do të jetë filmi i parë Matrix për motrat regjisore Lana dhe Lilly Wachowski që nga transicionet e tyre gjinore, shkruan “Koha Ditore”.

Përdoruesja e Twitter Lady Aeva deklaroi se shpresonte që vazhdimi i ardhshëm do të konfirmonte se “tre filmat e fundit ishin thjesht një alegori ... për gjininë trans”.

Andrew Todd me saktësi theksoi se të dy personazhet kryesore në fakt “vdiqën në filmin e fundit” [The Matrix Revolutions nga viti 2003], duke sugjeruar se mund të jemi në një udhëtim tjetër “të çuditshëm”.

“Më relevant tani”

Për shkak të ndryshimeve të shpejta dhe të përhapura sociale dhe teknologjike që i kemi parë që nga tre filmat e parë, redaktori i lajmeve nga Total Film Jordan Farley beson se kjo “është një kohë e mirë” për ta rifreskuar Matrixin.

“E gjithë ideja e një bote virtuale dhe njerëzve që jetojnë në internet dhe në botën reale është shumë më relevante tani sesa në vitin 1999, ku interneti ishte akoma mjaft i rrallë,” thotë ai për BBC.

“Njerëzit fshihen prapa profileve të mediave sociale dhe vetë realiteti virtual tani është një gjë që përballet me konsumatorin. Kam kufje të realitetit virtual pranë TV time tani që mund t’i vendos dhe të futem në një botë të çmendur që është krejtësisht e ndryshme nga e jona.”

Ai shton: “Pra, padyshim që jemi shumë pak larg faktit se jemi shumë më afër tani me një botë si Matrix sesa në vitin 1999”.

Duket se edhe vetë Neo do të kishte probleme të parashikonte se si do të zhvillohej kjo... Prandaj, ndërsa po e presim krijimin e fundit të Wachowskis, le t’i vendosim kufjet tona dhe të shohim se çfarë mund të mësohet se si kanë kaluar françizat e tjera filmike me filmat e katërt.

Toy Story 4

Në fillim të këtij viti Disney e publikoi vazhdimin ​​më të ri në serialin e adhuruar dhe të animuar filmik Toy Story. Në film bëhet fjalë për Sheriff Woody – zërin e të cilit e huazon Tom Hanks - Buzz Lightyear të cilëve iu bashkohet miku i ri Forky në një aventurë udhëtimi.

Me një mikpritje të madhe, vazhdimi më i ri i Toy Story e tejkaloi një miliard dollarë në arkat kinematografike dhe shpejt u bë filmi i nëntë i animuar me fitimet më të mëdha i të gjitha kohërave - përpara dy filmave të parë.

Ai u përshkrua, në një përmbledhje në faqen Rotten Tomatoes si: “I përzemërt, qesharak dhe i animuar bukur”.

“Toy Story 4 e përshkruan më së miri vazhdimin - dhe ndoshta edhe përfundimin – e një sage të animuar praktikisht të përsosur.”

Farley nga Total Films mendon se Toy Story më i ri ishte në fakt më shumë si një “epilog”, i etiketuar në fund të tre të tjerëve, në vend se përmbyllje e një kuadrilologjie të planifikuar të filmave (ose kuartet nëse preferoni). Pra, sfida e madhe për producentët e The Matrix - “një trilogji kjo në retrospektivë” - thotë ai, është ta gjejnë saktësisht se ku përshtatet filmi i katërt.

Rastësisht, Reeves ishte në vazhdimin e ri të Toy Story si kaskaderi i adhuruar kanadez, Duke Caboom. Ai kohët e fundit ka luajtur edhe në John Wick 3, u shfaq në Always Be My Maybe të Netflixit dhe madje e ka huazuar imazhin e tij në video lojën e ardhshme Cyberpunk 2077 - duke e shtyrë kështu Farley të besojë se viti 2019 mund të jetë viti i Keanu.

“Mendoj se njerëzit janë shumë të entuziazmuar nga fakti që ai do të jetë në një film të ri të Matrixit gjithashtu sepse ai është për momentin shumë i njohur”, deklaron ai.

Ocean’s 8

Pavarësisht titullit, Ocean’s 8 ishte i katërti në arsenalin e serialit filmik.

Ai e përmbante të gjithë kriminalitetin e njëjtë profesional si tre të parët por këtë herë George Clooney dhe grupi i tij i meshkujve u zëvendësuan nga Sandra Bullock - si motra e personazhit të Clooney Danny Ocean, Debbie - dhe një varg zonjash të tjera, përfshirë Rihannën.

Filmi e mori një reagim pjesërisht pozitiv nga kritikët, por e filloi një debat rreth faktit nëse kishte në fakt mjaft rishikues femra.

A mundet që filmi i parë i Matrix që nga epoka #MeToo ta shtyjë Reevesin të qëndrojë në prapavijë dhe t’ia mundësojë Moss ose një femre tjetër që plotësisht ta marrin rolin kryesor? Apo edhe personazhet mund të transferohen, ashtu si edhe krijueset e tyre?”Absolutisht”, thotë Farley, përcjell “Koha Ditore”. “The Matrix vërtet ia lejon vetes të bëjë praktikisht çdo gjë, dhe për shkak se është një hapësirë ​​kaq e gjerë, në të mund të “manipulohet” çdo gjë.

“Pra, nuk ka asnjë arsye se pse Keanu Reeves dhe Carrie-Anne Moss nuk do të mundë të marrin role paksa më të ndryshme.”

Ai shton se ndërsa ndryshimi i roleve të tyre do të mirëpritej nga shumë, ndryshimi i tepërt do të mund të jetë një rrezik dhe “pak sfidues” për disa shikues.

“Neo dhe Trinity janë karaktere shumë ikonike, mendoj se do të ishte pothuajse e vështirë t’i shohësh ata aktorë në një film të Matrix ku nuk i luajnë ato personazhe.”

Indiana Jones dhe Rambo

Mungesa shpesh e bën zemrën të dojë më shumë, por në rastin e Indiana Jones si duket Harrison Ford mund ta ketë lënë pak vonë.

Kingdom of the Crystal Skull i vitit 2008 mbërriti madje 19 vjet pas Last Crusade dhe u mirëprit po aq mirë.

Nëse mendoni se Ford e kishte të vështirë, atëherë shikoni Sylvester Stallone i cili bëri diçka të ngjashme me veteranin e Luftës në Vietnam, Rambo. Ai u rikthye në aksion pas dy dekadash në filmin e katërt me po të njëjtin titull në serinë luftarake në të njëjtin vit.

Shumë shqyrtues menduan se që të dy dukeshin paksa qesharakë si meshkuj aksioni në vitet e tyre të gjashtëdhjeta, por kjo nuk e ndaloi asnjërën nga françizat që t’i përgatisnin edhe filmat e tyre të pestë këtë vit.

Farley mendon se ashtu si me gjininë, nuk ka çështje të lidhura me moshën brenda The Matrix - ku koha është një koncept relativ.

“Një pjesë e madhe e filmit është kjo botë virtuale ku njerëzit kanë avatarë që e pasqyrojnë përshtypjen e tyre për veten dhe llojin e tyre të imazhit mendor, kështu që mendoj se mund të pajtoheni që aktorët të duken si të dëshirojnë”, thotë ai.

Siç thekson Variety, filmi besohet se po e kërkon një aktor më të ri për ta marrë rolin e Morpheusit – të cilin e portretizoi më parë Laurence Fishburne.

“Mund t’i rikastoni ata më të rinj pa asnjë problem,” vazhdon shkrimtari filmik.

“Gjëja e çuditshme për mua është fakti se nuk e di nëse Keanu dhe Carrie do t’i luajnë karakteret e tyre origjinale apo jo, sepse filmi i tretë goxha definitivisht thotë se këto personazhe kanë vdekur! Nuk e di se si do t'i kthejnë.

“Pothuajse çdo gjë mund të bëhet në The Matrix, kështu që mundësitë janë të pakufizuara”.