Showbiz

Mbretëresha Elizabeth në moshën 93-vjeçare ndërpret ngasjen në rrugët publike

Mbretëresha Elizabeth II (92) është e gatshme të heqë dorë nga ngasja në rrugët publike, pasi që dy muaj më parë, bashkëshorti i saj princi Philip (97) ishte përfshirë në një aksident trafiku.

Shkëlqesia e saj është personi i vetëm në Britani të Madhe, së cilës i është lejuar të ngasë pa patentë shofer. Supozohet se Elizabeth ka vendosur të mos e ngasë më në rrugët publike me këshillën e anëtarëve të ekipit të saj të sigurisë, sidomos pas aksidentit të cilin e shkaktoi duka i Edinburghut.

Dihet se mbretëresha, e cila këtë muaj do t’i mbushë 93 vjet, e shijon ngasjen e automjeteve të shumta të shtrenjta nga parku mbretëror, duke përfshirë edhe ato të brendit “Land Rover” dhe “Jaguar”.

Vetëm një ditë pas aksidentit automobilistik, në të cilin në janar mori pjesë bashkëshorti i saj, mbretëresha është parë të ngiste në rrugën publike, jo larg Sandringhamit, por pa rrip sigurie, shkruan KOHA Ditore.

“Daily Mail” shkruan se tani mbretëreshën nëpër rrugët publike do ta vozisin shoferët e saj, por nëpër rrugët që kalojnë nëpër tokat e saj private ajo do të vazhdojë ta ngasë vetë automjetin.

Por si duket, jo të gjithë janë entuziastë për ngasjen e Madhërisë së Saj, siç dëshmohet nga anekdota të cilën e citoi në memoaret e tij ish-ambasadori britanik në Arabinë Saudite, Sir Sherard Cowper-Coles.

"Pas drekës, mbretëresha mysafirin e saj të lartë, trashëgimtarin e fronit të Arabisë Saudite, Abdullah, e ftoi për një vizitë në pronë. Për habinë e tij të madhe prapa timonit u ul vetë mbretëresha, e ndezi motorin dhe i dërgoi ata për një xhiro. Mbreti Abdul nuk është mësuar që ta vozisë një grua, e lëre më një mbretëreshë. Me ndihmën e përkthyesit, thuhet se ai iu lut mbretëreshës të ngadalësonte dhe të përqendrohej në rrugën përpara".