Showbiz

Red Hot Chili Peppers elektrizojnë Piramidat e Gizës

Foto: Youtube screenshot

Red Hot Chili Peppers kanë performuar në Piramidat e Gizës në Egjipt në një paraqitje të cilën e kanë sjellë direkt përmes “livestream-it”. Më herët gjatë javës, ata paralajmëruan performancën në një prej mrekullive antike botërore.

“Para çdo vendi të ri trupi im vërshohet nga ngazëllimi, një dëshirë e zjarrtë për një mister të ri shpaloset, një magjepsje me një kulturë të re, mundësia e miqve të rinj, shijimi i ushqimit të ri, nuhatja e shijeve të reja, absorbimi i ritmeve të reja”, pati thënë Flea, basisti i bendit.

Performancën e tyre tek Piramidat e Gizës e ndoqën më shumë se 10 mijë persona, dhe shumë e shumë të tjerë përmes video-linkut në Youtube.

Bendi kalifornian e nisi performancën me këngën “Can't Stop” nga albumi i vitit 2002 “By The Way” e që u pasua nga “Californication”, “Dark Necessities” e hite tjera, raporton Reuters.

Basisti Flea tha se zemra po i shpërthente nga gëzimi i të performuarit në Egjipt. “Jam shumë mirënjohës dhe shumë i nderuar për këtë përvojë. Piramidat, është e pabesueshme... e pranuam mundësinë menjëherë... Gjithmonë kam qenë i mahnitur me Egjiptin dhe me këtë rajon të botës”, është shprehur Flea para koncertit.

Koncerti, i mbajtur nën masa të rrepta sigurie, u promovua nga ministria egjiptiane e turizmit, e cila po tenton të rikthejë vendin në hartë si destinacion primar pas kryengritjes së vitit 2011 dhe viteve pasuese me trazira që trembën shumë vizitorë.

“U bë shumë punë për të ardhur këtu, por ia vlejti”, ka thënë fansja Christina Robertson, nga Madison, Wisconsin, e cila i kishte lënë pesë fëmijët e saj në shtëpi për këtë udhëtim, transmeton Koha.net.

“Gjithmonë kam dashur të vizitoj Egjiptin, gjithmonë kam dashur t’i shoh piramidat, është mbresëlënëse, është një ëndërr, dhe t’i shohësh Red Hot Chili Peppers këtu, bendin tim të preferuar të të gjitha kohërave”.

Solisti Anthony Kiedis, basisti Michael “Flea” Balzary dhe bateristi Chad Smith iu bashkuan të tjerëve si “The Grateful Dead”, “Scorpions” dhe Frank Sinatra që kanë performuar në një prej shtatë mrekullive të botës.

Ky është koncerti i parë që mbahet në këtë vend antik pas atij të vitit 2015 nga pianisti Yanni.

Fansat udhëtuan nga 67 vende të botës, tha organizatori i koncertit, Karim El Chiaty, zëvendëskryesues i “Travco Group”.

“Mendoj se në Egjipt është një bazë e madhe e fansave dhe mendoj se për atë që po dëshirojmë të arrijmë, që është promovimi i turizmit në Egjipt, kemi pasur nevojë për një bend të kësaj kategorie dhe me kaq ndikim”, tha Chiaty.

Red Hot Chili Peppers kanë shitur më shumë se 60 milionë albume, kanë fituar gjashtë Çmime “Grammy” dhe janë futur në “Rock and Roll” Shëtitoren e Famës më 2012.

Bendi aktualisht është në një turne botëror dhe po punon në përfundimin e albumit të tyre të 12-të pas atij të vitit 2016 “The Getaway”.