Showbiz

Avdyli e Tayna përplasen rreth idesë për censurim të këngëve

Iniciativës së deputetit të LDK-së, Haxhi Avdyli, për të censuruar promovimin e drogës nëpër këngët e reperëve kosovarë, i është përgjigjur rep-këngëtarja, Tayna, emrin e së cilës e përmendi vetë deputeti në Komisionin Parlamentar.

Në Rubikon të KTV-së, Avdyli ka mbrojtur iniciativën e tij duke thënë se promovimi i drogës nxit në konsumim më të madh të saj, por kjo është mohuar nga Tayna.

“Nuk jam as e para e as e fundit që kam kënduar rap. Kam dalë veç që gjashtë muaj, mundem të vij në të ardhmen me këngë tjera që shpërndajnë pozitivitet, njëjtë qysh bëj në Instagramin tim. Mendoj që secili duhet me këqyrë profesionin e vet. Nuk e di që dikush ka nisur me pi drogë veç pse ka dëgjuar këngë”, ka thënë Tayna. “Ma gjeni një reper që nuk flet për këso tema. Tash do të thotë doni të bëni ligj botëror kundër kësaj po më mirë do të ishte të bëni një ligj kundër shkeljes të së drejtës autoriale e piratërisë që po na bëhet”.

Edhe deputeti tjetër, Fisnik Ismaili nga PSD-ja, ka kontestuar idenë që dikush mund të nisë të konsumojë drogë nëse dëgjon promovim të saj përmes këngëve.

Avdyli i është përgjigjur reperes duke thënë se nuk ka diçka kundër saj, por kundër gjuhës që ajo ka përdorur.

“Kjo iniciativë absolutisht nuk ka të bëjë personalisht me Taynan sepse tash e njoh edhe jam fqinj e miq me prindërit e saj. S’është kundër Taynas, është kundër gjuhës dhe përdorimit të saj”, ka thënë Avdyli.