Showbiz

Këngëtarët me shumë vite në skenë, e aktivë edhe sot

Jo çdo kush e përballon në mënyrën e njëjtë konkurrencën. Derisa në disa raste konkurrenca në skenën muzikore bën që të vijnë në pah emra të rinj e të talentuar, dhe në këtë mënyrë një pjesë tjetër e atyre që veçse janë pjesë e saj sikur treten, për të tjerët konkurrenca është vetëm një motiv për të vazhduar tutje dhe për t’u munduar që sa më shumë ta dominojnë skenën.

Që të dyja rastet e lartpërmendura i hasim në skenën muzikore në vend. Gjithsesi, ka mjaftueshëm edhe emra që po qëndrojnë mirë me gjithë daljet e reja, raporton emisioni “Express” në KTV.

Një prej tyre është edhe këngëtarja e njohur shqiptare, Aurela Gaçe, dhe jo kot po nisim me të. Kjo pasi me gjithë vitet e shumta në skenë, ajo vazhdon të jetë më aktivja nga kolegët e gjeneratës së saj dhe më tepër energjia e saj e pashtershme vazhdon ta karakterizojë atë.

Këngët, klipet, festivalet e mbrëmjet muzikore vazhdojnë të jenë në agjendën e saj. Për festivale tashmë dihet, aty ku është ajo, çmimi i parë është i sigurt se shkon në duart e saj. Së fundi, këngëtarja ka publikuar këngën dhe klipin e ri, “S’mundem”.

Frontin nuk po e lëshon assesi as këngëtari Sabri Fejzullahu. Madje, këngën dhe klipet e tij janë të njëpasnjëshme, sa duket se këngëtari kohën më të madhe e kalon në studio. Shihet se edhe mbrëmjet muzikore janë të shumta, e sidomos në diasporë.

Veçantia e krijimeve të tij të fundit është kthimi i një fryme muzikore që ai e kishte kohë më parë me këngët: “Në ëndërr”, “Kënga e rinisë”, “Merrma shiun e Prishtinës” “Fshatarja ime” “Konvikti nr 5”, “Lutje Prishtine” etj.

Në këtë listë nuk ka se si të mos bëjë pjesë edhe këngëtarja Albërie Hadërgjonaj. Pavarësisht moshës, ajo vazhdon të jetë tejet aktive në skenën muzikore shqiptare dhe madje më joshëse se kurrë më parë.

Ajo përveç angazhimeve në mbrëmje muzikore, spektakle televizive, po punon shumë edhe në krijimin e këngëve të reja.

Këngëtarja së fundi ka qenë tejet e komentuar edhe për linjat trupore dhe kujdesin që është duke e treguar në këtë aspekt.

Ndonëse me pauza të herëpashershme, aktive në muzikë ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe këngëtarja Edona Llalloshi.

Me stilin e saj në të kënduar, Edona vazhdon të mbetet e njëjtë, pavarësisht ndryshimeve që ka pësuar muzika shqiptare.

Edhe Edona Llalloshi është tejet e angazhuar në ahengje familjare dhe kjo ka bërë që këngët me videoklipe të jenë më të pakta gjatë vitit.

Projekti i saj i fundit është ai me titull “Duhet” i sjellë në fund të vitit të kaluar.

Ndonëse jo shumë me videoklipe siç ka qenë dikur, aktiv në muzikë është edhe këngëtari Sinan Vllasaliu. As për të duket se daljet e reja në skenë nuk janë shqetësim, pasi ai ka publikun e vet që e përcjell vazhdimisht.

Muzika është profesioni me të cilin këngëtari është marrë prej kohësh dhe thuajse të gjitha datat i ka të zëna gjatë vitit, pasi mbetet shumë i kërkuar në Kosovë, Shqipëri dhe po ashtu edhe jashtë kufijve shqiptarë.

Edhe çifti Mihrije Braha & Naim Abazi po e vazhdojnë aktivitetin. Përveç botës së televizionit, sidomos Mihrija nuk i anashkalon as projektet e reja muzikore. Madje, ajo ka paralajmëruar së shpejti një projekt të ri, derisa bashkë me Naimin po vazhdojnë të jenë shumë të kërkuar edhe nëpër ahengje familjare.

Në anën tjetër, Naim Abazi dihet se me videoklipe nuk ka qenë shumë i angazhuar, përveç këngëve të reja.

Ai për emisionin Express pati bërë të ditur se gjatë këtij viti do ta realizojë një këngë me videoklip e për më tepër do të sjellë një bashkëpunim me bashkëshorten e tij Mihrien.

Kënga, sipas tij, përshkon gjithë rrugën që ata kanë kaluar së bashku nga dita kur janë njohur e deri më tani. Edhe kësaj kënge do t’i realizohet videoklipi.

Një tjetër këngëtare shumë aktive është edhe Gili. Edhe pse kohëve të fundit kemi parë një fokusim më të madh tek organizimet familjare, Gili shumë shpejt do të publikoj këngën dhe klipin e ri që do të jetë një baladë. Mirëpo, jo vetëm kaq. Se Gili po punon pa ndal tregon edhe albumi i ri, për të cilin po punon, album i cili do të përfshijë këngë të zhanrit zbavitës.

Përveç emrat e lartpërmendur, ajo që vihet re është aktiviteti i madh e i vazhdueshëm i këngëtarëve të muzikës popullore. Veçojmë angazhimin e pandalshëm të Shyhrete Behlulit, Mahmut Feratit, Remzie Osmanit e shumë të tjerëve.