Showbiz

Julia Roberts përkrah dyqanin për refugjatët

Një dyqan humanitar i mbështetur nga ylli hollivudian, Julia Roberts, është hapur në Londër, duke iu ofruar njerëzve të blejnë ushqim, veshmbathje si dhe pajisje shkollore për refugjatët në botë.

“Choose Love”, që udhëhiqet nga organizata “Help Refugees” u hap në Carnaby. Ky është dyqani i parë nga një zinxhirë që pritet të vazhdojë të martën në New York me pikën e dytë.

“Ju hyni dhe blini një batanije ose xhaketë shpëtuese dhe ju largoheni duke mos marrë asgjë, por keni një ndjenjë ngrohtësie dhe dashurie”, ka thënë Josie Naughton, shefe ekzekutive e organizatës, raporton Reuters.

“Help Refugees” ka thënë se të gjitha paratë do të shkojnë për refugjatët – pasi hapësira e dyqanit ishte marrë falas dhe stafi është i gjithi i përbërë nga vullnetarët.

Aktorja e njohur Roberts ka ndihmuar këtë organizatë duke veshur fanellën “Choose Love” e duke e përkrahur iniciativën në rrjete sociale.