NËPËR FILM

Gjithçka është gati për edicionin XXI të “DokuFestit”

Edicioni i fundit i emisionit “Nëpër Film” iu dedikua një prej festivaleve më të veçanta në vend dhe rajon, “Dokufest”, i cili këtë vit e shënon edicionin e 21-të të organizimit.

E ftuar në studio ishte producentja e kësaj ngjarjeje, Alba Cakalli, e cila ndau hollësi rreth programeve të “DokuFestit” dhe gjithçka tjetër që do ta karakterizojë atë.

“Këtë edicion do të ketë program të filmave, muzikës, debateve, master-klasave dhe punëtorive të ndryshme. E veçanta e këtij edicioni është se, përveç qendrës historike ku janë kinematë dhe ku mbahen aktivitetet, ‘DokuFesti’ do të zgjerohet edhe në pjesët tjera të qytetit. Një pjesë të programit të rregullt do ta mbajmë në bashkëpunim me kinemanë ‘Cinemarine’ tek Abi Çarshia. Gjithashtu një pjesë e programit të veçantë, që është pjesa e ‘DokuKids’, do të bartet në ‘Innovation and Training Park’ ku do të ketë aktivitete të ndryshme të këtij programi”.

Cakalli tregoi se edhe këtë vit, interesimi i filmbërësve për të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtarë të filmit dokumentarë dhe të shkurtër, ishte mjaft i madh.

“I kemi pasur diku rreth 3 mijë aplikime nga vende të ndryshme të botës. Tani jemi gati në finalizimin e programit të filmave. Do t’i pranojmë vetëm rreth 230 ose 240 filma. Numri i saktë bëhet i ditur në fillim të muajit korrik. Ekipi seleksionues veçse i ka shikuar filmat konkurrues, nga muaji nëntor kur edhe është hapur thirrja për aplikim. Mezi presim që në korrik të dalim me programin e plotë të filmave pjesëmarrës dhe me kampanjën e festivalit”.

Por cilat do të jenë lokacionet e shfaqjes së filmave konkurrent?

“Do të jenë dy kinema te Kalaja e Prizrenit, ajo e Amfiteatrit dhe ajo që gjendet tek muri i Kalasë dhe njihet si njëra prej kinemave ikonike, dhe e cila sërish është përzgjedhur si njëra prej kinemave më të bukura në botë. Do të ketë kinema te lumi, te ‘DokuKino’, te plateja në ambient të hapur, në këtë edicion do ta rihapim edhe Shtëpinë e Kulturës dhe natyrisht Lumbardhi. Përveç këtyre kinemave që i përmenda, do të ketë kinema edhe te ‘Innovation and Training Park’ dhe kinemaja tjetër që do të funksionojë rregullisht, do të jetë në bashkëpunim me ‘Cinemarine’”.

Pas dy vjetëve mungesë si pasojë e pandemisë së koronavirusit, në këtë edicion të festivalit do të rikthehet programi i muzikës, “DokuNights”, i cili tradicionalisht e tërheq një numër të madh të vizitorëve.

“Këtë vit do ta kemi edhe programin e muzikës, ‘DokuNights’, që po rikthehet pas dy viteve. Mezi presim të sjellim artistë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë që do të performojnë kryesisht për herë të parë në Kosovë, përmes festivalit ‘DokuFest’. Leart Rama është njëri prej kuratorëve të 'Dokunights', i cili ka disa muaj që po punon me shumë përkushtim për ta krijuar një program me disa zhanre të muzikës, ku do të ketë artistë kryesisht nga skena e muzikës në Londër, Berlin, New York, Los Angeles, dhe gjithashtu do të ketë edhe performues vendorë”.

Edicioni i 21-të i “DokuFestit” mbahet nga 5 deri më 13 gusht, në qytetin e bukur të Prizrenit.